Kryesore » 2012 » Prill » 23 » Vëllai i vogël i Kryeministrit po ndërton kompleks banesash
6:36 AM
Vëllai i vogël i Kryeministrit po ndërton kompleks banesash
Blerim Thaçi është hisedar në kompaninë "Iliria Building” që po ngret një kompleks banesor në Prishtinë, ndërtimi i së cilës mund të kushtojë rreth 4 milionë euro. Thaçi dhe ortaku i tij Milaim Cakiqi, i cili është fqinj i Kryeministrit dhe bashkëpronar i Liria FC që kishte qenë e përfshirë në një privatizim të manipuluar, nuk kanë pranuar të tregojnë prejardhjen e fondeve që po i investojnë. Kompania e tyre ishte regjistruar në janar 2009 dhe në faqen e saj në internet nuk figuron se ka kryer ndonjë projekt tjetër.Blerim Thaçi, i vëllai i vogël i Kryeministrit Hashim Thaçi, është bërë pjesë e tregut të shitjes së patundshmërive. Ai është hisedar në një kompleks milionësh që është duke u ndërtuar në lagjen Mati 1 në Prishtinë. "Iliria Building”, një kompani e përbashkët e Blerim Thaçit e Milaim Cakiqit, planifikon të ndërtojë 102 banesa në dy objektet e kompleksit "Blloku A 21”, bazamentet e së cilave tashmë janë ngritur. 

Blerim Thaçi nuk ka pranuar të japë përgjigje për mënyrën e sigurimit të mjeteve për ndërtimin e këtij kompleksi edhe pse kjo i është kërkuar për dy javë rresht. Ai nuk figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK) që ka pasur ndonjë biznes me qarkullim të madh financiar.

Edhe Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, i cili është pyetur nëse e di që i vëllai është i përfshirë në biznesin e patundshmërive, nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë.

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Abelard Tahiri, fillimisht ka premtuar se do të njoftonte kreun e ekzekutivit për pyetjet, por më vonë nuk pranuar të komentonte për këtë çështje.

Milaim Cakiqi, ortaku i vëllait të Kryeministrit, ka thënë se aksionarët nuk janë të obliguar të flasin për "Iliria Building”.

"Ne jemi privatë dhe nuk japim llogari për punën tonë. Është çështje e jona se çka bëjmë dhe si investojmë”, ka thënë Cakiqi. "Blerimi është vëlla i Kryeministrit por kjo nuk do të thotë që obligohemi të përgjigjemi për biznesin tonë”

Milaim Cakiqi është fqinj i Kryeministrit të vendit Hashim Thaçi në lagjen "Prishtina e Re-Perëndimi” afër Veternikut. Ai gjendet edhe në listën e banorëve të kësaj lagje që kanë marrë pëlqimin urbanistik për të ndërtuar në këtë zonë.

Parcela me numër 28/7, ku është duke u ndërtuar kompleksi "Iliria Building”, ka një hapësirë prej 3 mijë e 729 metra katrorë. Sipërfaqja për ndërtim në këtë hapësirë, sipas shënimeve në faqen zyrtare të kësaj kompanie është mbi 23 mijë e 390 metra katrorë.

"Blloku A 21” është i ndarë në dy objekte në të cilët do të ndërtohen 102 banesa sipërfaqja totale e të cilave është mbi 9 mijë e 700 metra katrorë. Hapësira për ndërtimin e lokaleve afariste ka një sipërfaqe prej 1593 metra katrorë ndërsa sipërfaqja e parkingut ka një hapësirë prej 5 mijë e 269 metra katrorë.

Trotuaret, pllatotë dhe rrugët brenda kompleksit kanë një hapësirë prej 1298 metra katrorë , korridoret kanë 1606 metra katrorë , etazhet teknike kanë një hapësirë prej 836 metrash katrorë ndërsa sipërfaqja e gjelbëruar ka një hapësirë prej 768 metrash katrorë.

Veç banesat e lokalet afariste kanë një hapësirë prej 11 mijë e 200 metrash katrorë.

Kompanitë e ndërtimit - Kompanitë "Al Trade” dhe "Standard” kanë thënë për Gazetën Jeta në Kosovë - se mesatarja e kostos për ndërtimin e një metri katror në Prishtinë sillet prej 350 deri në 400 euro.

Në bazë të kësaj mesatareje, ndërtimi i banesave e lokaleve afariste me sipërfaqe prej mbi 11 mijë e 200 metrash katrorë mund të kushtojë afro 4 milionë euro. Ndërsa mesatarja e shumës që sigurohet nga shitja e tyre mund të shkojë deri në 7-8 milionë euro, që i bie 3-4 milionë euro profit.

Ndërkohë kompania "Iliria Building”, sipas Gazmend Mejzinit, kryeshef në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, është regjistruar më 14 janar të vitit 2009.

Në regjistrin e biznesit figuron se ka statusin e Shoqërisë me Përgjegjësi të Kufizuar ku kapitali themelues për regjistrim është 10 mijë euro. Kjo kompani, siç figuron në certifikatën e biznesit, ka vetëm dy punëtorë.

Adresa e saj shënohet se është Çagllavica. Blerim Thaçi është person i autorizuar për Çagllavicë ndërsa Milaim Cakiqi është përgjegjës për Prishtinë.

"Iliria Building” ka për aktivitet kryesor Tregtinë me Pakicë të Karburanteve dhe Lubrifikanteve ndërsa është e regjistruar edhe për aktivitete tjera si ndërtimi i lartë dhe ndërtimi i ulët si dhe aktivitetet që kanë të bëjnë me ndërmjetësim në tregtinë e lëndëve djegëse, xeheve, metaleve dhe produkteve industriale kimike.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus