Kryesore » 2011 » Maj » 29 » Universiteti i Prishtinës, i PDK-së
9:24 AM
Universiteti i Prishtinës, i PDK-së
Shtatë ish-profesorë të Fakultetit të Studimeve Islame në Universitetin e Prishtinës (UP), duket se assesi nuk po mund të rehatohen. Pas shumë reagimeve të tyre për shkak të largimit nga procesi mësimor, ata tash kundërshtojnë edhe zgjedhjen e Qazim Qazimit, dekan të ri të këtij fakulteti. Këta profesorë pretendojnë se Profesor Qazimi nuk e meriton atë detyrë, madje as sipas ligjit, dhe akuzojnë Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), saktësisht myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, se këtë po e bën me prapavijë tendencioze. Por, zyrtarë të BIK-ut i mohojnë këto akuza të ish-kolegëve të tyre, duke sqaruar se zgjedhja e dekanit të ri të këtij fakulteti është bërë në bazë të të gjitha normave ligjore dhe kritereve të kërkuara.
Pavarësisht kësaj, shtatë profesorët e larguar nga Fakulteti i Studimeve Islame, të cilët pretendojnë se janë dëbuar dhunshëm dhe padrejtësisht nga detyra e ligjëruesve në këtë institucion arsimor, me vendim të krerëve të BIK-ut, kanë reaguar ndaj zgjedhjes së Qazim Qazimit si dekan i Fakultetit të Studimeve Islame, shkruan Express.

"Zgjedhja dhe emërimi, javën e kaluar, i Qazim Qazimit dekan të FSI-së me profesion filolog i letërsisë shqipe, në moshën tij 65-vjeçare, është në kundërshtim edhe me ligjin e vendit, duke injoruar të gjithë kandidaturat e kandidatëve të tjerë meritorë, të paraqitur disa herë në konkurse zyrtare, me tituj shkencorë në fushën e ngushtë të studimeve islame, është veprim me prapavijë tendencioze, pas të cilit fshihen qëllime dhe interesa të ngushta të vetë myftiut të Kosovës, Naim Tërnava dhe shokëve të tij të ngushtë”, thuhet në reagimin e ish-profesorëve të FSI-së, dërguar mediave.

Në reagimin e tyre, profesorët Musa Vila, Lulzim Esati, Xhabir Hamiti, Sabri Jonuzi, Enver Xhiha, Idriz Bilalli dhe Emin Behrami, kanë deklaruar se emërimi i profesor Qazimit në postin e dekanit të këtij fakulteti, do t’i mundësojë kryetarit aktual të BIK-ut, Naim Tërnavës dhe shokëve të tij, që të mbizotërojnë në procesin mësimor në Fakultetin e Studimeve Islame, duke emëruar dhe shkarkuar kuadro sipas preferencave dhe shijes individuale dhe jo sipas kritereve akademike dhe shkencore.

Ndryshe, në këtë fakultet edhe më herët ka pasur probleme ndërmjet profesorëve tash të larguar dhe krerëve të BIK-ut. Krejt kjo kishte ndodhur për shkak të largimit nga posti i dekanit Xhabir Hamiti. BIK-u po ashtu ka përjashtuar nga procesi mësimor edhe disa profesorë për shkak se jozyrtarisht thuhej se ishin përkrahës të ish-dekanit Hamiti. Madje njëri nga këta profesorë, Emin Behrami, pati publikuar në Express disa të dhëna, sipas të cilit ishin dëshmi për ngacmime seksuale të nxënësve të medresesë nga ana e profesorëve.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus