Dy menaxherë shqiptarë të Aeroportit të Prishtinës janë shkarkuar nga vendet e tyre të punës nga menaxhmenti turk i kompanisë "Limak”.Sylejman Zeneli, shef i sigurimit në Aeroport, dhe Fahri Alaj, menaxher i sektorit të skenimit, janë larguar nga vendet e tyre të punës me arsyetimin se nuk kanë kryer punët e tyre, por një gjë të tillë e mohojnë këta të fundit, ku, sipas tyre, vendimi për largimin e tyre nga puna është i kurdisur nga menaxhmenti turk i Aeroportit.Ish -shefi i sigurimit Sylejman Zeneli thotë se sot e ka marrë vendimin nga menaxhmenti për shkëputjen e kontratës së tij të punës në Aeroport. Ai thotë se vendimi i menaxhmentit për shkëputjen e kontratës së punës në Aeroport është i jashtëligjshëm.Zeneli thotë se prej kohës kur Aeroporti është marrë me koncesion nga kompania turke "Limak” ai e ka kryer punën e vet si duhet."Unë dhe Fahri Alaj jemi larguar komplet nga puna në Aeroport. Unë e di një gjë që vendimi për largim është një skenar i menaxherëve turq në Aeroport. Përgjegjësia në Aeroport është dashur të bjerë mbi persona përgjegjës e jo mbi shefin e sigurimit në Aeroport”, tha ai për "Zëri”.
Zeneli thotë se në ditët në vijim ai do të ushtrojë ankesë në instancat më të larta të shtetit, pasi që sipas tij vendimi nuk është i drejtë.
"Absolutisht vendimi nuk është i drejtë dhe unë atë nuk do ta pranoj”, tha ai.
Përndryshe, shkarkimi i dy menaxherëve ka ardhur pasi që njësitet policore të Policisë së Kosovës kanë bërë testin e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar "Adem Jashari” në Prishtinë, ku ka rezultuar se në Aeroport shkalla e sigurisë është në nivel të ulët.
Policia ka simuluar se një person i armatosur dhe një tjetër që pa u vërejtur ka kaluar rrethojat e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari” kanë mundur të hynin në aeroplanin e "Turkish Airlines”, që për destinacion kishte Stambollin.
I treti, që mëtonte të depërtonte me një thikë, nuk i kishte shpëtuar sigurimit. Sikur dy të parët të mos ishin persona që kanë pasur për qëllim të testonin sigurinë në Aeroport, ata do të mund të kryenin çfarëdo misioni brenda aeroplanit të mbushur me udhëtarë.
Teknikat e tyre për të futur armatimin në aeroplan kishin funksionuar. Pas aksionit, zyrtarë të policisë patën deklaruar se të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në pajtim me programin kombëtar të sigurisë së aviacionit civil të Republikës së Kosovës si dhe strategjisë kundër terrorizmit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus