Kryesore » 2012 » Mars » 21 » Stavilecin për prefekt të Prishtinës
4:03 PM
Stavilecin për prefekt të Prishtinës
Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të trajnojë stafin e saj për zgjedhjet e ardhshme lokale. Synimi i kryeministrit Hashim Thaçi është që në zgjedhjet e ardhshme ta fitojë me çdo kusht Komunën e Prishtinës, të cilën e ka humbur që nga paslufta. Kësaj here partia e Thaçit po e "trajnon” ministrin aktual të Bujqësisë, Blerand Stavilecin, që në zgjedhjet lokale ta sfidojë kundërkandiatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.Burime të afërta me PDK-në i kanë thënë "Zërit” se kryesia e PDK-së është duke punuar vazhdimisht që ta promovojë Stavilecin, si kandidat për Prishtinën. Kështu, me ministrin aktual të Bujqësisë, partia e Hashim Thaçit, sipas këtij burimi, pretendon që ta rrëzojë cilindo kandidat të LDK-së. "PDK-ja po pretendon që kandidati i ardhshëm për kryetar të Prishtinës të jetë ministri Blerand Stavileci. Ai wshtë lindur në Prishtinë, nuk është shumë i përfolur për afera korruptive edhe gjithashtu ekziston një simpati për të”, ka thënë burimi i gazetës. Mirëpo, kontaktuar nga gazeta, Stavileci ka mohuar se ka informata se partia e tij synon që ta kandidojë për kryetar të Prishtinës dhe në këtë formë t’i fitojë zgjedhjet. "Nuk kam ndonjë informatë konkrete për këtë, nuk jam i informuar”, ka thënë shkurt ai nëpërmjet telefonit. 
I pyetur nëse do të pranojë që të garojë për pozitën e të parit të kryeqytetit, apo do t’i thotë "jo” kësaj oferte, Stavileci ka thënë se është herët të flitet për një gjë të tillë.

Afërsisht të njëjtën gjë e ka thënë edhe nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, i cili nëpërmjet SMS-së ka thënë se "ndodhet në Mal të Zi dhe se askush nuk e ka biseduar këtë çështje me të”.

Ndërkaq, njëri nga anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Shemsi Veseli, i cili aktualisht është shef i Grupit parlamentar të kësaj partie në Asamblenë Komunale, thotë se në kryesi nuk janë përmendur emra konkretë, porse do të ishte mirë që komuna të udhëhiqet nga një politikan i ri.

"Unë nuk mund të konfirmoj asgjë me emra, as nuk mund ta mohoj e as ta konfirmoj. Zyrtarisht në kryesi nuk është përmendur asnjë emër. Pavarësisht se çka do të vendosë kryesia për neve do të jetë meritor, por kuptohet se do të bëhen analizat e ndryshme, do të merren anketat e ndryshme, normalisht që duhet të dalim me disa figura të reja, të cilat nuk janë politikisht të shpenzuara, ndoshta edhe të atillë që do të mund të tërheqin sa më mirë një numër të madh të votuesve”, thotë Veseli.

Zgjedhjet e fundit komunale janë mbajtur në nëntor të vitit 2009, kur kandidati i LDK-së, Isa Mustafa, duke lënë mbrapa atë të PDK-së, Astrit Salihu. Ky është mandati i dytë që Mustafa ka fituar në Prishtinë. Tre vjet më parë ai kishte arritur që të shkojë në balotazh kundër kandidatit të atëhershëm të PDK-së, Fatmir Limaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka udhëhequr Komunë e Prishtinës edhe para se në krye të saj të vijë kryetari aktual, Mustafa.

Në zgjedhjet e para të pasluftës kryetar i Prishtinës ishte zgjedhur Salih Gashi, i cili qe pasuar nga Ismet Beqiri.

Analistët politikë thonë se fitorja e kryeqytetit është shumë e rëndësishme për secilin subjekt politik, por në veçanti kjo është e rëndësishme për partinë e kryeministrit Thaçi, meqenëse ai në këtë formë përveç se do të fitonte njërën nga komunat që "tradicionalisht” i përket LDK-së, gjithashtu do ta dëmtonte edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili e drejton Komunën e Prishtinës.

Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se nëse partia e kryeministrit ka nisur nga tash të bëjë përgatitje për zgjedhjet e ardhshme komunale, atëherë kjo është shenjë se ata e kanë seriozisht këtë.

"Nëse është kështu, atëherë kjo tregon seriozitet. Është për t’u admiruar që një parti qysh tani të përgatisë kryetarin e vet për kryetar të komunës. Natyrisht se kjo është një përpjekje e kryeministrit për ta dëmtuar Isa Mustafën”, shprehet Spahiu.

Mandati i kryetarëve të komunave të Kosovës zgjatë katër vjet, ndërkaq, sipas kësaj, zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen gjatë vitit të ardhshëm.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus