Kryesore » 2012»Dhjetor»6 » Shtetësia shqiptare bazohet në “kritere rigoroze ligjore”
4:33 PM
Shtetësia shqiptare bazohet në “kritere rigoroze ligjore”
Seksioni Konsullor i Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë ka lëshuar të enjten një kumtesë publike për qytetarët e Kosovës. Kumtesa bën të ditur se marrja e shtetësisë shqiptare nga shtetas jo të Shqipërisë mbështetet në "kritere rigoroze ligjore” dhe mbi "bazën e kërkesës individuale”.Sqarimi, sipas ambasadës, pason takimin e zyrtarëve të saj me përfaqësues të Lidhjes për Bashkim të Kosovës, të cilët kanë dorëzuar një listë me emra që duan të marrin nënshtetësinë shqiptare.Ditë më parë, Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka thënë se do të bëjë gati projektligjin "për pajisjen me shtetësinë shqiptare pa kushte", të të gjithë shqiptarëve kudo ata jetojnë. "Ky ligj do të parashikojë një standard ndryshe për Kosovën për shkak të konsolidimit të këtij shteti, por edhe për faktin se pas këtij ligji nuk fshihet asnjë interes për ndryshim kufijsh", pati deklaruar kryeministri Sali Berisha.Nisur nga kjo, Ambasada e Shqipërisë rithekson se rishikimi i Ligjit mbi shtetësinë është një proces relativisht i gjatë, i cili duhet të kalojë procedurat e parapara në Kuvendin e Shqipërisë.
Duke cituar kryeministrin Berisha, misioni diplomatik kujton se hyrja në fuqi e këtij ligji mund të bëhet pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013.
"Ambasada e Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për të përsëritur gatishmërinë e saj dhe të institucioneve të Shqipërisë për të ofruar gjithë ndihmën e nevojshme në ekspertizë dhe legjislacion, për të përshpejtuar përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, thuhet në kumtesën e kësaj ambasade.
Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk gëzon regjimin pa viza me vendet e BE-së.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus