Kryesore » 2011 » Maj » 21 » Shoqëria civile e vetmuar kundër korrupsionit!
10:25 PM
Shoqëria civile e vetmuar kundër korrupsionit!
Përfaqësues nga shoqëria civile sërish shprehën shqetësimin e tyre lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë. Përfaqësues të organizatave joqeveritare vlerësojnë se mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin, andaj sipas tyre institucionet e vendit duhet të jenë më shumë të angazhuara për ta luftuar këtë dukuri.
Ismet Kryeziu, drejtor i organizatës "Demokracia në Veprim”, thotë se nuk mjafton që shoqëria e vetme të angazhohet në luftën kundër korrupsionit, derisa institucionet e vendit nuk janë të interesuara të bashkëpunojnë për ta luftuar këtë dukuri.

"Nga praktikat e deritashme ne kemi theksuar, e gjithë shoqëria, se mungon vullneti politik për luftën kundër korrupsionit. Përgjegjësit politikë dhe institucionalë të Kosovës duhet të jenë më shumë të angazhuar për ta luftuar këtë dukuri duke përfshirë edhe EULEX-in. Ne, si qytetarë, jemi të zhgënjyer nga pritjet tona për luftën kundër korrupsionit”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

"Demokracia në Veprim”, e cila është pjesë e organizatës Transparency International, bëri publikimin e një raporti lidhur me raportimet në media se sa shkruhet për korrupsionin.

Besnik Ramadanaj nga KDI-ja, tha se një nga instrumentet e luftimit të korrupsionit padyshim se është edhe media dhe roli i saj nëpërmjet hulumtimeve dhe raportimeve të rasteve të korrupsionit. Sipas tij, një element tjetër që e pengon zhvillimin e gazetarisë hulumtuese është edhe pengesa që u krijohet gazetarëve në qasjen në dokumentet zyrtare.

"Ne kemi publikuar raportin e mediave të shkruara për monitorimin e korrupsionit në Kosovë. Ajo që ne konsiderojmë se me rëndësi është pengesa që u krijohet gazetarëve për mosqasjen në dokumentet zyrtare. Në debate është folur edhe për presionet e kërcënimet e gazetarëve. Gazetarët nuk e kanë mbështetjen e duhur, gjë që është një pengesë për të raportuar kundër korrupsionit”, theksoi Ramadanaj.

Lufta kundër korrupsionit ishte temë debati edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e opozitës deklaruan se shumat e raportuara për korrupsion (10 milionë euro) nuk janë reale, duke thënë se ato janë shumëfish më të larta.

Ndërkohë "Demokracia në Veprim” njoftoi të premten se ka thelluar bashkëpunimin me organizatën ndërkombëtare Transparency International dhe KDI-në në Kosovë. Sipas Kryeziut, në vitin 2012, Transparency Internacional do të ketë edhe zyrën e vet në Prishtinë, për të vepruar në luftën kundër korrupsionit. /Telegrafi/
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus