Kryesore » 2012»Prill»13 » Serbët bllokojnë tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit
3:42 PM
Serbët bllokojnë tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit
Grupe serbësh kanë vendosur sot, në orët e hershme të mëngjesit, barrikadë në rrugën që shpie për në tri fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit, njofton korrespondenti i "Kohës Ditore” nga Mitrovica. Vendosjen e barrikadave në rrugë e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i tri fshatrave shqiptare, Haki Imeri. Sipas tij, grupe serbësh të premten, në orët e hershme të mëngjesit kanë vënë barrikada me rërë në vendin e quajtur Kamenicë, pikërisht aty ky rrugët për tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit - Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë të Vllahisë, ndahet nga magjistralja e Ibrit. Sipas pohimeve të Imerit, sot, në orët e mëngjesit, një kombibus, që qarkullonte për në këto tri fshatra, ka parë se rruga ishte e barrikaduar, prandaj ishte kthyer thatë për në Mitrovicë. Udhëtarët, banorë të këtyre fshatrave, janë detyruar të shkojnë në këmbë në shtëpitë e tyre, të cilat nga pika e barrikadimit janë larg mbi 7 kilometra. Këta banorë tash mund të përdorin vetëm rrugët nëpër Shalë të Bajgorës, të cilat aktualisht s’mund të shfrytëzohen për shkak të grumbujve të borës, që ende nuk janë shkrirë në disa pjesë. Tash vështirë se ka mundësi që edhe mësimi të mbahet, pasi që arsimtarët udhëtojnë nga Mitrovica, sikurse edhe mjekët, thotë përfaqësuesi i tri fshatrave.
Burime të gazetës kanë theksuar se i ashtuquajturi Shtab serb i Krizës në veriun e Kosovës ka dhënë urdhër që kjo rrugë të bllokohet, meqë, sipas tyre, këtë rrugë mund ta shfrytëzuakan pjesëtarët e ROSU-s, KFOR-it dhe EULEX-it.
Mbylljen e kësaj rruge me barrikada të rërës për në tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës në Mitrovicë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus