Kryesore » 2011 » Maj » 5 » Rasti i komunarëve mund t'i kalohet EULEX-it
11:33 AM
Rasti i komunarëve mund t'i kalohet EULEX-it
Policia e Kosovës nuk ka arritur ta finalizojë të mërkurën kallëzimin penal kundër gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të arrestuar të martën, por për shkak të politizimit tashmë të kësaj çështjeje penale ajo pritet të kalojë në duart e EULEX-it.

Policia ka arrestuar të martën Ridvan Shahinin, drejtor i Infrastrukturës Rrugore, Ekrem Rexhën, shef i Zyrës së Prokurimit, Qazim Bajramin, kryesues i organit mbikëqyrës i projektit dhe zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Refik Sadikun, kryetar i organit mbikëqyrës, e po ashtu zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale, Hazir Krasniqi dhe Halil Fejziu, anëtarë të organit mbikëqyrës dhe zyrtar i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale.

Të dyshuarit për vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimeve janë marrë në pyetje edhe të mërkurën lidhur me paradhënien e tetëqind e gjashtëdhjetë mijë eurove për kompaninë "Çlirimi”, e cila po merret me mbulimin e derdhjes së lumit Prishtevka përgjatë lagjes "Kalabria” në Prishtinë.

Policia e as Prokuroria nuk ka folur të mërkurën për hetimet që janë duke u bërë. Avokati Bajram Tmava, mbrojtës i drejtorit të Infrastrukturës Rrugore të Komunës së Prishtinës, Ridvan Shahini, pas daljes nga stacioni i Policisë, ku janë marrë në pyetje të dyshuarit, ka thënë se ky rast është tipik politik, raporton Koha.

"Ky është rast tipik penal, i cili ka konotacion politik. Më së miri kjo bazohet në lajmet qendrore të RTK-së të mërkurën mbrëma. Kur është dhënë komunikata e Policisë së Kosovës për arrestimin e gjashtë zyrtarëve të lartë për këtë asnjë fjalë rreth dyshimit të bazuar, por është marrë deklarata e kryetarit të Komunës së Prishtinës, z. Isa Mustafa dhe janë marrë edhe prononcimet e zyrtarëve të lartë qoftë gjyqësor, qoftë policorë lidhur me vlefshmërinë e asaj deklarate”, ka thënë Tmava, duke ia shtuar edhe një fjali siç ka thënë ai komentit të RTK-së: "Po rrehen atllarët e po e hanë mullarët”.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, këto hetime i ka quajtur politike.

"Nuk ka qenë paradhënie, por Komisioni mbikëqyrës i punimeve ka konstatuar se kompania ka siguruar materialin dhe në përputhje me ligjin, zyra e prokurimit ka bërë një aneks-kontratë. Kjo është për ta mbrojtur projektin dhe për t'i vazhduar punimet”, ka thënë kryetari i Komunës së Prishtinës në lidhje me rastin e dhënies së parave kompanisë "Çlirimi”, për çka tashmë dyshohen 6 zyrtarët komunalë.

Policia dhe Prokuroria kanë afat ligjor që deri të enjten rreth orës 15:00, kur janë arrestuar të dyshuarit që t’i finalizojë hetimet me një kallëzim penal dhe propozim për caktim të paraburgimit. Nëse nuk e bëjnë këtë të dyshuarit duhet të lirohen pasi që kalon afati ligjor prej 48 orësh të mbajtjes në ndalim policorë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus