Kryesore » 2011 » Gusht » 5 » Qeveria synon t’i ulë shpenzimet në paga për vitin 2012
2:01 PM
Qeveria synon t’i ulë shpenzimet në paga për vitin 2012
Shpenzimet e larta në autostradën Morinë-Merdar në masë prej 30 për qind nga buxheti i secilit vit deri më 2013 kanë bërë që Qeveria e Kosovës të mendojë ndryshe sa u përket pagave në sektorin publik dhe shpenzimeve buxhetore në këtë sektor. Në një letër të firmosur nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar ushtruesit të detyrës së menaxherit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington, John Lipsky, është shkruar se viti 2012 do të karakterizohet me shkurtime të mëdha në shpenzimet financiare në mënyrë që Kosova ta fitojë të drejtën për qasje në kredi të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Përkundër shkurtimeve në shpenzimet e pagave dhe mëditjeve për pesë muajt e mbetur të vitit 2010 në vlerë prej 10 milionë eurove, Qeveria parasheh që gjatë vitit 2012 të ulë edhe më shumë shpenzimet në paga.
"Për të krijuar hapësirë në buxhet për projektin e autostradës, ne do të vazhdojmë të ushtrojnë përmbajtje në shpenzimet aktuale, me një fokus të veçantë në faturën e pagave”, thuhet në letrën e kryeministrit Thaçi drejtuar krerëve të FMN-së më datën 20 korrik. Gjatë vitit 2011 shpenzimet e tërësishme në paga dhe mëditje sipas buxhetit vjetor kapin vlerën prej 386 milionë eurove. Për 2012-ën sipas buxhetit të sivjetshëm të miratuar në fund të marsit, është paraparë që në paga dhe mëditje të shpenzohen 403 milionë euro. Në bazë të rekomandimeve të FMN-së, kjo vlerë financiare prej 403 milionëve nuk do të mbetet e njëjtë edhe në dokumentin ligjor me shpenzimet për vitin 2012. Sipas letrës së kryeministrit, po qe se Qeverisë së Kosovës i vjen ngushtë puna në aspektin financiar për financimin e ndërtimit të autostradës Morinë-Merdar, atëherë pretendohet që gjatë vitit 2012 të huazohen mjete financiare nga Fondi i Trustit Pensional, në mënyrë që të krijohet një stabiliteti më i qëndrueshëm financiar. Nëpërmjet kësaj qasjeje, Qeveria ka paraparë që të rifitojë të drejtën për kreditë e FMN-së. Të enjten, zyrtarë të Ministrisë së Financave i kanë thënë gazetës se Qeveria është duke punuar me përkushtim të lartë t’i përmbushë rekomandimet e FMN-së. "Jam optimist se do t’i përmbahemi kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, dështimi i marrëveshjes "Stand-By” me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe frika për një dështim të ri, ka detyruar ministrin e Financave, Bedri Hamza, të marrë masat paraprake. Ai u ka dërguar letër të gjitha komunave të Kosovës në gjysmën e dytë të muajit qershor me përmbledhje për kufijtë e shpenzimeve që mund t’i bëjnë ato në vitin 2012. Ministri i Financave u ka thënë atyre se është e nevojshme që të ushtrohet kontroll mbi disa kategori të shpenzimeve në nivelin qendror dhe komunal në mënyrë që Qeveria të arrijë objektivat e dëshiruara të përgjithshme të shpenzimeve që pritet të jenë të dakorduara me FMN-në. 
"Kontrolli mbi pagat dhe mëditjet është veçanërisht i rëndësishëm pasi kjo është në fokus të veçantë të FMN-së pas rritjeve të ndjeshme që janë financuar me buxhetin e vitit 2011, duke përfshirë edhe ato të financuara nga grantet e shtuara dhe komunat”, thuhet në letrën e ministrit Hamza. 
Në të njëjtin dokument Hamza ka përcaktuar kufijtë për secilën kategori të shpenzimeve në paga dhe mëditje për secilën komunë me orar të plotë të stafit. 
"Ka një kërkesë për të zvogëluar madhësinë proporcionale të shpenzimeve rrjedhëse në buxhetin vitit 2012, por shumica e këtyre reduktimeve do të bëhet në nivelin qendror”, thuhet më tej në qarkoren buxhetore për komuna.Ministri Hamza ua ka bërë me dije edhe drejtorëve të shkollave se mund të bëjnë disa rishikime buxhetore në planin e buxhetit shkollor, por ato duhet të jenë të vogla
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus