Kryesore » 2011 » Dhjetor » 19 » Qeveria 5 milionë € borxh mësimdhënësve
11:59 PM
Qeveria 5 milionë € borxh mësimdhënësve
Pesë milionë euro është borxhi i qeverisë ndaj mësimdhënësve kosovarë. Rreth 28 mijë mësimdhënës nuk kanë marrë rritjen e pagës për muajin janar dhe shkurt. 
Maji, fillimi i shtatorit, muaji tetor dhe fundi i këtij viti kanë qenë premtimet e bëra në adresë të mësimdhënësve nga qeveria se do t’iu jepet shtesa e pagës, e cila sipas shifrave të Sindikatës së Bashkuar, të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është 5 milionë euro. SBASHK nuk ka marrë ende një konfirmim nga qeveria se do të realizohet pagesa e shtesës në fund të dhjetorit. Kjo sindikatë ka bërë përpjekje që të kontaktojë udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, që si datë takimi ishte përcaktuar e mërkura, por takimi është anuluar për shkak të agjendës së ngjeshur të përfaqësuesve të MASHT-it, duke e shtyrë takimin për të premten që nuk u realizua as këtë ditë. Mirëpo, një javë më parë përfaqësuesit sindikalë kanë arritur një marrëveshje me zyrtarë të ministrisë dhe janë ndarë nga ta, me premtimin se do të punohet në këtë drejtim, dhe do t’iu kthehet përgjigje brenda kësaj jave, që SBASHK nuk e mori. Nënkryetari i Sindikatës, Rashit Maliqi ka thënë për "Zërin”se mësimdhënësit nuk morën gjatë tërë vitit shtesën për dy muajt e mbetur. Ai thekson se Sindikata dhe bashkë me të edhe të gjithë mësimdhënësit u treguan tolerantë duke pritur vazhdimisht të realizohen premtimet e qeverisë, e veçanërisht ministrit të Arsimit, Ramë Buja, që dha fjalë se kjo pagesë do të bëhet në shtator, më pas premtimi u shty për tetor dhe premtimi i fundit ishte që "deri në fund të vitit mësimdhënësit do të marrin shtesat”. 

Ai ka theksuar se SBASHK-u është i vendosur që të presë deri të hënën, dhe nëse nuk merr përgjigje konkrete se do të paguhen pagat, do të mbahet një mbledhje e bordit për të vendosur rreth qëndrimit të Sindikatës, e që sipas tij, nuk do të jetë më tolerante, por do të presë vetëm që mjetet të derdhën në konto javën e ardhshme, pa dhënë afat tjetër shtesë.

Në të kundërtën, ai tha se SBASHK do të dalë me forma tjera sindikale të shprehjes së pakënaqësisë. Edhe pse anëtarë të Sindikatës nuk mohojnë kontaktet dhe përpjekjet me MASHT-in që të zgjidhet kjo çështje, Maliqi ka thënë se shenjat për zgjidhje nuk janë shumë pozitive, por SBASHK mendon se është afati i fundit të paguhen mësimdhënësit.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit iu kanë kujtuar mësimdhënësve përkushtimin e ekzekutivit të vendit dhe kësaj ministrie që të kenë një mirëqenie sociale dhe kushte më të mira të punës. Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit ka bërë shumë për të kthyer dinjitetin e mësimdhënësve, dhe këtë e ka dëshmuar me rritjen e të ardhurave të tyre personale si dhe me përkujdesjen e vazhdueshme ndaj kësaj kategorie.

Gjoshi ka bërë të ditur se qeveria nuk do t’u mbesë borxh asnjëherë mësimdhënësve. Por, ai ka apeluar te mësimdhënësit për mirëkuptim, pasi sipas tij, sado që MASHT dhe kjo qeveri është e përkushtuar të kryejë çdo obligim ndaj mësimdhënësve realiteti ekonomik i detyron institucionet që në vitin e ardhshëm të realizojnë pagesën për muajt e mbetur në konto të mësimdhënësve.

Ai ka thënë se me vënien në zbatim të buxhetit për vitin e ardhshëm, do të kryhet dhe pagesa, por ka sqaruar se "vazhdimisht kanë qenë nën monitorim të vazhdueshëm të FMN-së”. Gjoshi ka theksuar se një përgjegjësi për shtyrjen e pagesës e mban dhe opozita, e cila ka vonuar miratimin e buxhetit.

Çështje kohe…dhe vitesh!

Në muajin maj revolta e mësimdhënësve pati arritur kulmin duke paralajmëruar nga ata se në qershor duan shtesën e dy muajve, përndryshe nuk do t’iu jepen dëftesat nxënësve. Mësimdhënësit morën premtime të njëpasnjëshme dhe sidomos atë të fundit nga ministri Buja, se shumë shpejt do të gjendet forma e këtij kompensimi, që ata (mësimdhënësit) varën shpresat se do ta realizojë dhe presin ta jetësojë.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja në atë kohë (muajin maj) pati deklaruar për "Zërin” se nuk do të ketë hapësirë për pakënaqësi nga ana e mësimdhënësve, pasi sipas tij, qeveria nuk do t’i mbesë borxh asnjërit nga ta. Ai ishte shprehur i vendosur se vendimi i qeverisë do të zbatohej, duke e quajtur këtë vetëm çështje kohe. Por, kaluan tetë muaj dhe asgjë nuk pati konkrete në këtë drejtim.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus