Kryesore » 2012»Dhjetor»14 » Pushteti lokal i Prizrenit me telashe të shumta karshi ligjit
12:51 PM
Pushteti lokal i Prizrenit me telashe të shumta karshi ligjit
Pushteti lokal i Prizrenit, si në vendimmarrje ashtu edhe në ekzekutiv, ka telashe të konsiderueshme sa i përket respektimit të ligjeve në fuqi, është thënë gjatë një tryeze të organizuar nga OJQ-ja "EC Ma Ndryshe", e cila të enjten ka prezantuar raportin tremujor të monitorimit të punës së Qeverisë komunale të Prizrenit, që është përqendruar në "Respektimin e ligjit në qeverisjen lokale". Në debatin, ku ka qenë i pranishëm edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Ian Cliff, janë përmendur rastet specifike të nxjerrjes së akteve komunale pa bazë ligjore sikurse edhe inicimi i projekteve në kundërshtim me legjislacionin aktual dhe vetë Kushtetutën e Kosovës. Gjatë prezantimit të raportit tremujor, përfaqësuesja e kësaj organizate, Elmedina Baxhaku, ka bërë të ditur se monitorimi tremujor si shqetësim kryesor ka identifikuar telashet e Komunës me ligjin, ku në raste specifike ekzekutivi dhe Kuvendi bashkërisht i kanë shkelur dispozitat ligjore. Sipas saj, gjetjet e monitorimit tremujor kanë nxjerrë në pah mosrespektimin e kritereve të ndërtimit, që nuk ndëshkohet nga institucionet, pastaj praktikën e investimeve publike në pronat e kontestuara, faktin se zyrtarët e lartë komunalë punojnë edhe në arsim, se Komuna dhe KK-ja e Prizrenit shpërfillin kërkesën e MAPL-it për kushtëzime, se pushteti i Prizrenit nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se Rregullorja për trajtimin e ndërtimeve pa leje është kopje antiligjore. Ajo i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës që të marrë për bazë këto rekomandime, sikurse edhe ato për zbatimin e plotë të Udhëzimit Administrativ për Transparencë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus