Kryesore » 2011 » Dhjetor » 19 » Pushtetarëve u dështon tenderi i parkingjeve nëntokësore
2:47 PM
Pushtetarëve u dështon tenderi i parkingjeve nëntokësore
Kompanitë e pushtetarëve kosovarë kanë dështuar ta fiojnë mega tenderin për ndërtimin e tri parkingjeve nëntokësore për 1500 vetura dhe objekteve afariste në Prishtinë. Kjo për faktin se Komuna që udhëhiqet nga lideri i opozitës, Isa Mustafa, të premten e kaluar e ka anuluar tenderin e shpallur muaj më parë me arsyetimin se ka pasur mungesë të ofertave të favorshme për Komunën.Vendimi i Komunës së Prishtinës për anulimin e këtij tenderi që kap shumën e përgjithshme prej rreth 20 milionë euro ka ardhur vetëm pak ditë pas një shkrimi të botuar në gazetën "Zëri”, ku bëhej e ditur se kompanitë e themeluara nga zyrtarët e lartë kosovarë janë në garë për ndërtimin e këtyre parkingjeve. Sipas gazetës, kompanitë e parakualifikuara nga Komuna për ndërtimin e parkingjeve janë: "Mabetex”, kompania e themeluar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, kompania Services Group International (SGI) LLC, e cila bashkë me kompaninë "DD Interiors” të themeluar nga kreu i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP), Dino Asanaj, e kanë ndërtuar fshatin supeluksoz në periferi të Prishtinës (fshatin ndërkombëtar), i cili është i populluar kryesisht nga politikanët dhe biznesmenët vendorë, kompania "Arda Rei”, e cila vite më parë kishte fituar tenderin shumë të përfolur prej rreth 13 milionë euro nga Ministria e Infrastrukturës për ndërtimin e rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës dhe kompania "Standard” e Nebih Zariqit, i cili më herët ka qenë këshilltar i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës. 

Pas parakualifikimit të këtyre kompanive, ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kishin deklaruar se politikanët kosovarë po e shfrytëzojnë fuqinë ekzekutive për t’i favorizuar bizneset e tyre në tenderët publikë.

Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka konfirmuar të dielën për "Zërin” anulimin e këtij tenderit, duke thënë se ai pritet të rishpallet gjatë ditëve në vijim. "Tenderi është anuluar, sepse ka pasur mungesë të ofertave të favorshme për Komunën. Ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme për çdo lokacion”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, oferta e kompania "Arda Rei”, e cila e ka ndërtuar rrethrrotullimin në hyrje të Prishtinës, është diskualifikuar që në start, pasi që nuk i ka plotësuar kriteret e përcaktuara dhe në secilin lokacion ka mbetur vetëm nga një ofertë. "Pra kemi pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme për çdo lokacion”, ka bërë të ditur Gashi.

Përndryshe, tri parkingjet nëntokësore dhe qendrat afariste ishte planifikuar të ndërtohen nëpërmjet partneritetit publikoprivat (PPP) për 40 vitet e ardhshme.

Parkingu më i madh me hapësirë parkimi për 800 vetura dhe objekti afarist është planifikuar të ndërtohej te Fakulteti Filologjik në Prishtinë. Parkingu tjetër do të ndërtohet në afërsi të godinës së Komunës së Prishtinës dhe Parlamentit dhe do të ketë kapacitet për parkimin e 300 veturave plus objekti afarist, ndërsa parkingu i tretë te Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me kapacitet parkimi për 300 vetura dhe objekti afarist.

Përqindjet për komunën

Në bazë të tenderit të shpallur nga Komuna, përfitimi publik nga ndërtimi i këtyre parkingjeve sillet prej 3-11 për qind i të hyrave bruto.

Kështu tek lokacioni 1, për periudhën 1 deri në 10 vjet, përfitimi i Komunës nga të hyrat bruto do të jetë minimum 3%, për periudhën 11-20 vjet përftimi do të jetë minimum 5%, për periudhën 21-30 vjet përfitimi do të rritet në 7 për qind, ndërsa në periudhën 31 deri 40 vjet përfitimi do të arrijë në 9% dhe obligimet për pagesë do të fillojnë 2 vjet pas nënshkrimit të kontratës.

Në lokacionin 2, përfitimi i Komunës do të jetë zero për qind për periudhën 1-5 vjet, 3 për qind i të hyrave bruto në periudhën 6-10 vjet, 5 % në periudhën 11-20 vjet, 7 % në periudhën 21-30 vjet dhe 9 % në periudhën 31-40 vjet, përderisa obligimet për pagesë fillojnë 5 vjet pas pranimit teknik të objekteve.

Në lokacionin 3, 5 për qind të të hyrave bruto do t’i merr Komuna në periudhën 1-10 vjet, 7 për qind në periudhën 11-20 vjet, 9 % në periudhën 21-30 vjet dhe 11 për qind në periudhën 31-40 vjet. Ndërsa obligimet për pagesë fillojnë 2 vjet pas nënshkrimit të kontratës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus