Kryesore » 2011 » Qershor » 27 » Policia arrogante
2:37 PM
Policia arrogante
Pjesëtarët e forcave të rendit në shumë raste kanë sjellje arrogante dhe nuk tregojnë mirësjellje në raport me qytetarët, e që përbën shkelje të rëndë të Kodit të etikës, duke i dhënë pasqyrë të keqe vetë organizatës policore dhe shtetit të Kosovës.
Ndryshe, secili profesion ka etikën e vet që duhet respektuar gjatë ushtrimit të detyrës. Edhe Policia e shtetit ka Kodin e etikës, i cili vazhdimisht shkelet nga pjesëtarët e uniformuar, e sidomos nga njësitet patrulluese, pavarësisht faktit se dhe menaxhimi i etikës së punës policore ka dobi të jashtëzakonshme si në pikëpamje të përgjithshme morale, edhe në atë praktike dhe operacionale. 
Kodi i Etikës së policisë parasheh që pjesëtari i trafikut në momentin e ndalimit të ngasësit të automjetit duhet të tregojë mirësjellje dhe obligohet të tregojë për arsyen e ndalesës. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ndodh në praktikë. Gjithashtu, pjesëtari i uniformuar në asnjë variant nuk bën që ta ndalë ngasësin e makinës derisa qëndron në anën tjetër të rrugës, gjë e cila kjo fatkeqësisht është e shprehur në masë të madhe. Po ashtu, burime të gazetës të afërta me Policinë kanë konfirmuar se ka raste që një pjesëtar i forcave të rendit është i obliguar nga shefi i tij që të bëjë shqiptimin e një numri të caktuar të tiketave gjatë patrullimit, e që në fakt përbën shkelje ligjore. 
Një pjesëtar i policisë, i cili bart uniformën e forcave të rendit tash e sa vjet, i ka deklaruar gazetës në kushte anonimiteti se Kodi i Etikës së policisë shkelet vazhdimisht. 
"Rastet më të shumta të shkeljes së Kodit të etikës ndodhin nga pjesëtarët e njësive patrulluese. Ata në momentin që ndalin një ngasës të veturës kanë për obligim që ta përshëndesin pasagjerin, ndonëse nuk ka nevojë të prezantohen, pasi në krah mbajnë kodin që identifikon, por gjithsesi obligohen që të tregojnë arsyen e ndalesës. Kjo fatkeqësisht nuk ndodh, prandaj kjo krijon një pasqyrë jo të mirë për vetë organizatën policore dhe shtetin e Kosovës”, ka thënë ky zyrtar i lartë policor. Sipas tij, ekzistojnë raste kur policët bien pre e komandantëve të stacioneve policore.

"Jam dëshmitar i asaj se një komandant i një stacioni policor ka obliguar X. X policin që të shqiptojë një masë të dënimit për një firmë private, në mënyrë që më pastaj të bëjë pazar mee pronarin e kompanisë për heqjen e dënimit dhe në këtë mënyrë të përfitojë materialisht”, ka konfirmuar ky pjesëtar i uniformuar.

Ai, ndërkaq ka treguar për një sërë rastesh të shkeljes së Kodit të etikës së Policisë së Kosovës. "Ekzistojnë raste kur policia e shtetit bën ndalimin e ngasësit të makinës nga ana e kundërt. Kjo jo vetëm që përbën shkelje, por paraqet edhe rrezik për sigurinë e komunikacionit”, ka thënë ai.

Edhe një qytetar i kryeqendrës (I. M.), emri i njohur për redaksinë, tregon për përvojat e tija të hidhura në raport me policinë e trafikut.

"Pothuajse sa herë që jam ndaluar nuk më është treguar arsyeja e ndalesës. Ata madje, më kanë thënë "a e di pse të kemi ndalur”? Gjithashtu, jam dëshmitar i përdorimit të një fjalori vulgar dhe arrogant të pjesëtarëve të uniformuar të shtetit. Kam një eksperiencë të keqe sidomos me pjesëtarët e njësitit patrullues të stacionit policor të Vushtrrisë, por edhe të Klinës. Ata janë të tmerrshëm dhe kanë sjellje jashtë çdo norme”, shprehet me pezëm ky qytetar.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, sqaron se policët patrullues kanë për obligim që t’i tregojnë pasagjerit arsyen e ndalesës.

"Pjesëtari i uniformuar nuk ka nevojë të prezantohet me emër, pasi që numri identifikues në kraharor e identifikon atë, por është i obliguar që të tregojë për arsyen e ndalesës”, ka thënë Kelani.

Mirëpo, një raport i Inspektoratit Policor të Kosovës, institucion ky që bën inspektimin e punës së policëve patrullues tregon se shqiptimi i gjobave për kundërvajtje të shkaktuara në trafik ka shënuar ngritje të dukshme, sidomos në rajonin e Prishtinës, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjilanit, kurse raporti tregon se rajoni i Pejës dhe Prizrenit kanë shënuar rënie të dukshme në shqiptimin gjobave.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus