Sllobodan Petroviq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, është duke u hetuar nga prokurori i EULEX-it, Pascal Persoons, pasi që ai vitin e kaluar ka kërcënuar një bashkëkombës të vet për çështje pronësore. Burime të besueshme të gazetës "Zëri” thonë se ministri Petroviq ka kërcënuar përmes mesazheve telefonike, por edhe takimeve direkte bashkëkombësin e vet Zoran Stanishiq.Sipas këtij burimi, Petroviq e ka kërcënuar Stanishiqin për çështje pronësore, por edhe kundër iniciativës së këtij të fundit për hapjen e një kompanie multietnike në Kosovë."Të gjitha dëshmitë në lidhje me kërcënimet qysh moti i ka prokuroria, dhe unë po habiten se si është e mundur që deri më tash askush nuk merr masa kundër Petroviq, edhe pse ky i fundit edhe më tej mban poste të rëndësishme në Qeverinë e Kosovës”,tha burimi i besueshëm i gazetës.
Në bazë të dokumenteve që posedon gazeta "Zëri”, shihet se më 3 shkurt të këtij viti prokurori i Prokurorisë Komunale të Prishtinës, Ali Ajdini, përmes një shkrese ka kërkuar nga Policia e Kosovës regjistrimin e të gjitha bisedave telefonike të ministrit Sllobodan Petroviq.
"Me anë të kësaj urdhërese është urdhëruar zyra ligjore e PTK-së që të bëjë regjistrimin e thirrjeve telefonike për numrin e telefonit të ministrit Sllobodan Petroviq, prej datës 25.06.2011 e duke vazhduar për 60 ditë për shkak të veprës penale të kanosjes nga neni 161 i Kodit Penal të Kosovës. Lidhur me ketë urdhëresë të datës 06.03.2012, ne kemi pranuar regjistrin e hyrje-daljeve nga PTK-ja”,thuhet në dokumentin e zyrtares së policisë me inicialet S.M, drejtuar prokurorit Ajdini, përmes kapitenit të policisë së Kosovës N.Xh.
Po ashtu, disa muaj më vonë, edhe prokuroria e EULEX-it ka njoftuar palën e dëmtuar se ka angazhuar një prokuror të saj për t’u marrë me këtë çështje, ku për këtë ka angazhuar prokurorin e saj Pascal Persoons.
Edhe në bazë të këtij dokumenti të EULEX-it, të cilin po ashtu e posedon gazeta "Zëri”, thuhet se prokuroria e EULEX-it ka vendosur të përfshihet në këtë rast që përmban paraqitje penale kundër Sllobodan Petroviq në lidhje me veprën penale të kërcënimit .
Në letrën drejtuar palës së dëmtuar thuhet se duke u bazuar në shkresat e lëndës që iu paraqit EULEX-it përmes policisë serbe (MUP) me të cilën neve na bëhet më dije rasti i lartpërmendur.
"Përmes kësaj po ju njoftojmë se në bazë të ligjit mbi kompetencat, zgjedhjen e lëndës dhe ndarjen e lëndës, gjykatësve dhe prokurorëve të EULEX në Kosovë, prokurori Pascal Persoons ka vendosur të angazhohet në këtë rast. Për këtë po ju njoftojmë se ankesa juaj dhe materialet e paraqitura janë regjistruar në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, ndërkaq hetimet preliminare do të bëhen nga një ekip i përzier, një prokurori i EULEX, dhe prokurori Publik i Kosovës”,thuhet në letrën e prokurorisë së EULEX-it drejtuar palës së dëmtuar.
Sllobodani nuk flet
Për këtë çështje gazeta "Zëri” ka provuar të kontaktojë gjatë gjithë ditës së mërkurë zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, por ky i fundit nuk është përgjigjur në telefonin e tij mobil zyrtar.
Gazeta po ashtu i ka dërguar pyetje edhe zyrtares për media në këtë ministri, Lumnije Demi, por kjo e fundit po ashtu nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës të mërkurën deri në fund të orarit të punës.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus