Kryesore » 2011 » Maj » 5 » Pakoja e Cooper-it
10:25 AM
Pakoja e Cooper-it
Dialogu Prishtinë-Beograd ka hyrë në një fazë tjetër, më serioze. Robert Cooper ka sjellë në Prishtinë propozimet për energjinë, lëvizjen e lirë, telekomunikacionin dhe vulat doganore. Ai kërkoi konstruktivitet nga kosovarët. Edita Tahiri thotë se për këto propozime, përgjigjja do të jepet në Bruksel, më 17 maj.

Korniza e mundshme e marrëveshjes që Cooper e ka dorëzuar në kryeqytetin e Kosovës përfshin çështjet e energjisë, telekomunikacionit, lëvizjen e lirë dhe vulën doganore.

Zëvendëskryeministrja Tahiri ka konfirmuar për Express se tanimë Prishtina zyrtare ka në tavolinë propozimet e ndërmjetësit Cooper. Shefja e delegacionit të Kosovës ka përmendur temat veç e veç, për të cilat do të provohet të arrihet marrëveshje.

"U ndalëm edhe te çështjet e hapura nga takimet paraprake. Dhe për disa nga këto çështjet e rëndësishme, siç është telekomunikacioni, energjia, lëvizja e lirë dhe çështja e vulave të Doganave të Kosovës dhe njohja e tyre nga Serbia, këmbyem pikëpamje për mundësinë e realizimit të marrëveshjeve kornizë, të cilat do të mund pastaj në takimin e radhës të analizohen dhe të shihet procesi i arritjes së marrëveshjes”, ka thënë Tahiri.

Tani pala kosovare ka kohë që deri më 17 maj të analizojë "propozimet evropiane” të ndërmjetësit Robert Cooper dhe të japë pastaj vlerësimet apo komentet gjatë raundit të katërt të bisedimeve në Bruksel.

"Në takimin e ardhshëm të dy palët duhet të paraqesin vlerësimet e tyre lidhur me zgjidhjet evropiane për çështjet praktike të hapura në dialog, veçanërisht për katër fushat që i përmenda”, tha ajo, duke shtuar se në takimin me Cooper ka biseduar edhe për agjendën e raundit të ardhshëm të bisedimeve.

Delegacionet e Prishtinës dhe të Beogradit kanë filluar procesin e bisedimeve gjatë muajit mars, duke mbajtur tri raunde të bisedimeve.

Deri më tani palët nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje mes vete, por nga të gjitha anët është folur për një qasje konstruktive në tryezën e bisedimeve. Sido që të jetë, përfaqësuesit e Prishtinës dhe të Beogradit nuk kanë hezituar të shprehin haptazi mospajtimet për çështjet e nxehta politike.

Përfaqësuesi i BE-së në këto bisedime, Robert Cooper të enjten (sot) do të qëndrojë në Beograd, ku do të takojë udhëheqësin e delegacionit serb në bisedime dhe do t’ia paraqesë edhe atij propozimet e tij për temat e diskutuara deri tani
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus