Kryeprotagonisti i aferës së përgjimeve, Adem Grabovci, tregon për herë të parë se ka qenë duke u hetuar nga EULEX-i për ish-Ministrinë e Transportit. Thotë se ia kishin vënë disa SMS përpara për tu ndihmuar që t'i zbërthenin, por ishte përgjigjur se nuk mund të "përgjigjet për fajet e të tjerëve”. Ndërsa lyp rishikimin e mandatit të EULEX-it, thotë se ky mision nuk duhej tia jepte mbrojtjes së Fatmir Limajt përgjimet e tij pasi nuk është i akuzuar.Kur Adem Grabovci kishte dhënë dorëheqje nga posti i zv/ministrit të Transportit e Postë-Telekomunikacionit në vitin 2010, i kishte hapur rrugë EULEX-it për të zhvilluar hetime ndaj tij, thotë ai. Atëkohë, Grabovci nuk e kishte bërë publik këtë arsyetim. Kishte thënë se po jep dorëheqje pasi nuk mund të mbajë edhe pozitë deputeti edhe të zyrtarit të qeverisë.
Por, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së tash kallëzon se pse nisen hetimet ndaj tij, raportet me bashkëpartiakët e tij më të cilët flet në përgjimet telefonike të rrjedhura në publik si dhe për kundërshtimet e tij për EULEX-in.
"Kur kam dhënë dorëheqje nuk e pata deklaruar arsyen. E kam ditë që opinioni po e di. I kam hapur rrugë EULEX-it, medieve, por edhe qytetarëve që të më hetojnë”, tha Grabovci.
"Jam njeri, mund të gaboj, por pa vetëdije. Adem Grabovci me vetëdije nuk gabon”, shprehet ai.Njeriu i përfshirë në gjitha pjesët e përgjimeve të rrjedhura, tregon se ishte intervistuar nga hetues të EULEX-it ku i ishte kërkuar të sqaronte përmbajtjen e disa SMS-ve.
"Mi kanë qit do sms-ë të një dëshmitari dhe i kemi zbërthyer me ta bashkë. I kam thënë nuk kam koment. Nuk mund të përgjigjem për fajet e të tjerëve”, tha Grabovci.
Por, sipas tij, kishin kaluar dy vite pas nisjes së hetimeve të EULEX-it nën dyshimin për korrupsion në rastin "Limaj-MTPT”, dhe ai më nuk ishte informuar nga askush se a është dëshmitar apo i dyshuar në këtë rast.
Misioni evropian, sipas tij, nuk është dashur t’i japë mbrojtjes së Grupit Limaj audioincizimet që ishin pjesë e hetimeve ndaj tij.
"Unë jam hetuar por nuk jam pjesë e aktakuzës. EULEX-i nuk ka pasur kurrfarë të drejte që përgjimet që janë bërë ndaj meje tia dorëzoj avokatëve të këtij rasti”, thotë Grabovci.
Ai thotë se nuk mban inate me anëtarët e grupit të Fatmir Limajt me të cilët kishte punuar në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Por problemi, sipas tij, qëndron tek disa njerëz brenda EULEX-it.
"Në këtë mision ka njerëz luftë-nxitës e përçarës, por nuk do t’ia arrijnë kësaj. Ne kemi kërkuar që të hetohet se kush brenda EULEX-it i nxori në publik këto përgjime”.
"Tri Gabimet e Mëdha të EULEX’it”
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së ka përmendur tri veprime të EULEX-it të cilat ai i vlerëson si gabime të mëdha të këtij misioni. Hetuesit evropianë, sipas tij, ose duhet të kryejnë punën më mirë ose duhet të largohen nga Kosova.
Njëri prej gabimeve, thotë ai, është rrjedhja e përgjimeve ndërsa gabim tjetër përben arrestimi i ish-ministrit Fatmir Limaj i cili po mbahet në paraburgim për krime lufte në rastin "Kleçka”.
"EULEX-i nuk pati drejtë ta arrestojë Limajn vetëm katër ditë pas vendimit të Supremes për rigjykim. Për, këtë është dashur të konsultohej Drejtori i Policisë së Kosovës e Kryeprokurori i Shtetit, por EULEX-i nuk e pyeti askënd”, tha ai.
Më e keqja, shton ai, ishte "mbajtja në burg e Limajt në kohën e festës së 100 vjetorit të pavarësisë së shqiptarëve”.Por, gabimi më i madh i hetuesve europianë, sipas Grabovcit, ka të bëjë me mos luftimin e krimit të organizuar në veriun e Kosovës.
Shefi i deputetëve të PDK-së pohon se krimi duhet të luftohet në të gjitha anët e vendit. "Jemi të gjithë dëshmitarë se në veri po zhvillohet krim i organizuar e korrupsion”.
Për gabimet në rastin Limaj dhe për mos luftimin e krimit në pjesën veriore të vendit, ai kishte kërkuar rishikimin e mandatit të EULEX-it. Tash, pas përgjimeve, Grabovci deklaron se do ta përsëris kërkesën e tij.
"E kam thënë publikisht dhe do ta përsëris se EULEX-it duhet t’i rishikohet mandati i tij”, tha Grabovci.
"Gjuha e përdorur në përgjime, një komunikim normal mes miqsh”
"Me Thaçin (Kryeministrin) njihem që 20 vjet. Me Kadrinë (Veselin) njihem moti. Me Saminë (Lushtakun) më vonë, por jemi miq. Gjuha e përdorur është muhabet miqsh”, thotë ai, për natyrën e bisedave në përgjimet e rrjedhura.
Kjo gjuhë, sipas tij, është normale të përdoret në miqsh e ndeja private. Por skandal, thotë ai, në këtë mes përbën publikimi i bisedave të Kryeministrit të shtetit e jo përmbajtja e tyre.
Ai nuk ka dashur të komentojë në detaje përmbajtjen e bisedave pasi që, sipas tij, ato përbejnë një çështje periferike në skandalin e përgjimeve.
"Këtu esenca është tek skandali që është publikimi i bisedave të Kryeministrit. Tash çdo qytetar do të ndihet i rrezikuar kur ka parë që as Kryeministri nuk është i mbrojtur në privatësinë e tij”, tha Grabovci.
Ai nuk ka pranuar të komentojë se pse në një bisedë me Lushtakun shahet kryeparlamentari Krasniqi e as pse në një bisedë me kreun e ekzekutivit fyhet një pjesë e elektoratit të kësaj partie.
Por, Grabovci tha se mund tu kërkojë falje qytetarëve nëse janë ndjerë të shqetësuar nga përmbajtja e fjalorit të përdorur siç thotë ai "në bisedat mes miqsh”.Fjalori i përdorur, ka pranuar Grabovci, mund të jetë i papranueshëm për publikun, por ka vlerësuar se ai është një fjalor i përdorur në biseda private.
Këso fjalori përdorin edhe qytetarët tjerë nëpër biseda private, tha kryedeputeti i PDK-së.
Grabovci ishte kapur nga hetues të EULEX-it duke biseduar me katër bashkëpartiakë të tij.
Në njërën prej telefonatave, ai i raportonte për një vizitë të tij në Bruksel ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, i anëtarësuar muajin e kaluar në zyrtarisht në PDK. Në një tjetër i kërkon ministres Vlora Çitaku që t’i bënte një favor që ka të bëjë me angazhimin e një të njohuri të tij si praktikant në Ministri të Integimeve.
Në dy biseda me kryeministrin Hashim Thaçi diskutohet për "skenën politike kosovare”, për Jakup Krasniqin që kreu i ekzekutivit e quan "Jakupovsi” si dhe për drojën që ka Kryeministri të përballet me anëtarësinë e PDK-së në Malishevë që i quan "zagarë”.
Po ashtu, Kryeministri ia përcakton Grabovcit datën kur duhet diskutuar për buxhetin. Ndërkohë me kreun e Skënderajt, Sami Lushtaku, të dy flasin për disa favore qeveritare që i kërkonte Lushtaku si dhe pikëpamjet e këtij të fundit për Kryeparlamentarin.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus