Kryesore » 2012 » Qershor » 20 » Një kubik beton 999 euro
1:29 PM
Një kubik beton 999 euro
Fituesi i kontratës për ndërtimin e objektit të Agjencisë për Regjistrim Civil në Prishtinë "Albesi” ka ofertuar më çmim shumë herë më të lart sesa ofertues të tjerë. Me këtë konstatim ka dalë në raportin e saj Auditorit Gjeneral i Kosovës (ZAGJK) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2011 në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB). Sipas auditorit, kompania që ka fituar tenderin ka ofertuar me 999 euro për një metër kub, pesë euro për një dritare të aluminit si dhe pesë euro për derë dykrahësh me profil të aluminit me urë termike prej qelqit me termopan.Ndërkaq kompania tjetër që ka qenë në garë "Al Trade” ka ofertuar me 150 euro për metër kub te betonit, 1,555 euro për dritare si dhe 1,200 euro për dyer.

"Nga tabela vërehet se në pozicionin e parë ofertuesi fitues kishte ofruar çmim gati shtatë herë më të lartë në raport me konkurrentin e dytë, ndërsa në dy pozicionet tjera kishte ofruar çmime qindra herë më të ulëta. Kjo tregon se OE fitues ka bërë manipulime me çmimet e ofruara, derisa komisioni i vlerësimit e kishte cilësuar si ofertë të përgjegjshme”, thuhet në raportin e auditorit për MPB-në.

Aty më tej shkruan se "komisioni i vlerësimit nuk ka kërkuar nga ky operator sqarim me shkrim lidhur me çmimet e ofruara, në mënyrë që pas një shqyrtimi të nxjerrë një përfundim lidhur me to. Oferta e dyerve dhe dritareve në çmimin prej 5 euro për copë, është shumë indikative”.

Po ashtu, parregullsi auditori ka konstatuar edhe te tenderi për "Furnizim me ushqim”, ku oferta e kompanisë fituese Ben-af ishte në vlerë 294,600 euro.

Sipas raportit të auditorit komisioni i vlerësimit të ofertave ka korrigjuar gabimet aritmetike në llogaritje dhe pas kësaj oferta ishte rritur në 482,000 euro, ku diferenca në korrigjim ishte 187,400 euro.

Parregullsi janë vërejtur edhe të kontrata "Furnizimi me dy autoblinda” në vlerë 463,188 euro. "Ne vërejtëm se Autoriteti Kontraktues në specifikacionin teknik të kontratës ka kërkuar që disa pozicione të jenë fikse. Kjo është vërejtur te pozicionet në vijim: Madhësia e motorit si dhe sistemi i ftohjes së motorit janë kërkuar të jenë fikse. Në këto raste nuk janë marrë parasysh minimumet e lejuara” thuhet në raport.

Më tej thuhet se te kontrata "Furnizimi me dy autoblinda dhe me një automjete kundër trazirave (Top uji)” në vlerë 790,418 euro, auditori ka vërejtur se ende kontrata nuk është realizuar. "Kontrata është lidhur për një periudhe njëvjeçare me datë 25 gusht 2011. Afati kohor për dorëzimin e pajisjeve është 100 ditë kalendarike nga koha e lëshimit të urdhër blerjes nga Autoriteti Kontraktues. Autoriteti Kontraktues edhe me tutje nuk ka lëshuar urdhrin për blerje”, thuhet në raport.

Parregullsi janë konstatuar edhe te kontrata "Ndërtimi i Qendrës Komunale të Regjistrimit” në Mitrovicë” në vlerë prej 254,620 euro, ku punët nuk janë përfunduar sipas planit dinamik të kontratës.

Sipas auditorit, kontrata ishte nënshkruar me datë 6 nëntor 2009. Plani dinamik për përfundimin e punimeve ishte 98 ditë pune. Por, pavarësisht kontratës, puna nuk ishte përfunduar deri me datë 3 gusht 2011.

Po ashtu, auditori ka konstatuar se gjatë viti 2011, sipas raportit vjetor të aksidenteve, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë të përfshirë në 314 aksidente të trafikut. Nga ky numër i aksidenteve, pjesëtarët e PK-së ishin shkaktarë të aksidenteve në 156 raste të ndodhura.

Nuk u përmbahet kushteve të kontratës

Sipas raportit të Auditorit Gjeneral të Kosovës te kontrata "Furnizimi me pasaporta elektronike” në vlerë 14,127,003 euro, Operatori Ekonomik "OESD” nuk i është përmbajtur kushteve të kontratës, respektivisht nuk ka arritur të kompletojë dokumentacionin për themelimin e njësisë së saj deri me datën 27 shtator 2011.

Sipas auditorit në të njëjtën datë OE ka qenë i obliguar t’i sjellë dhe t’i vejë në funksion pajisjet për prodhimin e pasaportave biometrike.

"Pas kësaj pajisjet janë zhdoganuar në emër të MPB-së (MPB paraqitet si importues).

Përfaqësues i MPB-së ishte paraqitur Agjencia Doganore " Shala Trade”. Ne kërkuam

nga MPB-ja autorizimin për lejimin e importit në emër të MPB-së, mirëpo nuk na është

ofruar një dokument i tillë. Sipas zyrtarëve të MPB-së, asnjë person fizik ose juridik nuk kishte autorizim për importimin e pajisjeve”, thuhet në raport.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus