Një projekt, i cili ka koston prej 30 mijë eurosh, e që ka të bëjë me pajisjen e qytetit të Skënderajt me kamera, planifikohet të realizohet në vitin 2013. Në këtë mënyrë, Skënderaj do të jetë një prej qyteteve të rralla në Kosovë që bëhet më kamera.
Sipas Hasan Shalës, drejtor për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, përveç këtij projekti, për të cilin do të investohen 30 mijë euro, në vitin 2013 planifikohen të realizohen edhe 24 projekte të tjera në infrastrukturën rrugore dhe në ujësjellës e kanalizime, për të cilat do të investohen 2.454.000 euro. "Prioritet i komunës edhe në vitin 2013 janë rrugët, ujësjellësit, kanalizimet, pastaj investimet në infrastukturën shëndetësore dhe në shkolla”, ka thënë Shala.
Sipas tij, për asfaltimin e rrugës "Mujë Krasniqi” do të investohen 80 mijë euro, për rrugën "Fazli Grajçevci” 95 mijë euro, për asfaltimin e rrugës në lagjet "Bekteshi” dhe "Shabanaj” në Llaushë do të investohen 100 mijë euro, për asfaltimin e rrugës në lagjet "Ahmetaj” dhe "Deliu” në Rezallë investohen 140 mijë euro, për asfaltimin e rrugës Padalishtë – Leqinë investohen 190 mijë euro, për asfaltimin e rrugës "Fadil Rrustemi” në qytet investohen 350 mijë euro, për ndërtimin e rrugës në lagjet "Fazliu” dhe "Bregaj” në Prekaz investohen 220 mijë euro, për asfaltimin e rrugës "Mbretëresha Teutë” në qytet investohen 120 mijë euro dhe për rrugën lagjen "Ibishi” në Klinë të Poshtme planifikohet të investohen 92.295 euro. Disa nga këto rrugë janë vetëm vazhdim i zbatimit të projekteve që kanë nisur në këtë vit, por që pritet të përfundojnë në vitin që vjen.
Drejtori Shala theksoi se një pjesë e mjeteve për projekte kapitale do të investohen për ujësjellës dhe kanalizim në qytet dhe në fshatra. Ai precizoi se për ndërtimin e kanalizimeve në Polac dhe në Burojë do të investohen 100 mijë euro (nga 50 mijë euro për secilin fshat), për mirëmbajtjen e kanalizimit fekal në qytet dhe për vendosjen e kapakëve të pusetave do të investohen 13 mijë euro, për ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në qytet investohen 80 mijë euro, për vazhdimin e zbatimit të projektit të ujësjellësit për Prekaz, Polac, Dashefc dhe Marinë investohen edhe 298 mijë euro dhe për furnizimin me gypsjellës të ujit nga Dashefci në Polac dhe për kyçjet shtepiake do të investohen 150 mijë euro.
Prioritet, sipas drejtorit të Urbanizmit dhe Ambientit në Skënderaj, Hasan Shala, i është dhënë edhe gjelbërimit të qytetit, për të cilin do të investohen 30 mijë euro, ndërsa për hartimn e projekteve teknike janë planifikuar të shpenzohen 80 mijë euro.
Të gjitha projektet, sipas tij, do të realizohen në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës.
Nga ajo që ka prezantuar drejtori Shala, për të gjitha projektet kapitale, të planifikuara të realizohen në vitin 2013, nga granti qeveritar do të investohen 1.889.902 euro, ndërsa nga të hyrat vetjake të komunës investohet pjesa tjetër prej 565 mijë euro.
Buxheti i përgjithëshëm i planifikuar për projekte kapitale në vitin 2013 në komunën e Skënderajt është 2.454.902 euro.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus