Kryesore » 2011 » Dhjetor » 19 » Merkel: Luftojeni korrupsionin
2:44 PM
Merkel: Luftojeni korrupsionin
Kancelarja gjermane, Angela Merkel pas takimit me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi në një konferencë të përbashkët për media theksoi qartë kërkesat e saj për rajonin, për rend, siguri, bashkëpunim ndërfqinjësor dhe tregti të lirë. Derisa nga pala serbe ka kërkuar qartë shuarjen e strukturave paralele, Merkel u shpreh se edhe pala kosovare duhet të jep nga vetja në mënyrë që të ketë zgjidhje paqësore të situatës në veri dhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ajo duke falënderuar për pritjen e përzemërt, tha se Gjermania është ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën, ndërsa vlerësoi se Kosova demokratike dhe multientike është kontribut për të ardhmen e Ballkanit.
Kancelarja gjermane theksoi se Qeveria e saj angazhohet për Kosovën, dhe potencoi rëndësinë e zhvillimit të Kosovës, funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik. Merkel e potencoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me EULEX-in.Lidhur me situatën në veri, Merkel u shpreh se dhe në Serbi ka folur për këtë çështje me Tadicin, prej nga kërkuar që të shuhen strukturat paralele.

Ajo kërkoi që të gjenden forma të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë- Serbi dhe për këtë tha se ka lutur edhe palën kosovare të japë kontributin e saj.

Kancelarja gjermane tha se dëshirojnë që me ushtarët e tyre, përfaqësuesit në misionet civile të angazhohen në mënyrë që ky rajon të jetë i sigurt, por siç tha ajo, është dëshmuar që ky angazhim nuk është aq i lehtë sa duket.

Ajo tha se në bisedat direkte edhe me liderët serbë, ka shprehur nevojën për gjetje të mundësive për tregti të lirë, bashkëpunim në çështjet e kufijve si dhe shuarjen e strukturave paralele. Në këtë drejtim, Merkel tha se ka treguar edhe çka presin nga Kosova.

Merkel u shpreh se edhe pala kosovare duhet të jep nga vetja në mënyrë që të ketë zgjidhje paqësore të kësaj çështje, gjegjësisht të situatës në veri dhe marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e pakursyer për Kosovën.

Ai tha se ka siguruar kancelaren gjermane se Kosova do t’i përmbush detyrimet e saj, duke qenë e vendosur që ta përmbyll kapitullin e konfliktit dhe të hap atë të zhvillimit.

Kryeministri u shpreh se Kosova do të jetë e përkushtuar për dialogun, që është i vetmi opsion për përmirësimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë, mirëpo sipas tij, dialogu vlen vetëm nëse zbatohen marrëveshjet nga Serbia, dhe shfaqi shpresën që ky shtet do të reflektoi në këtë drejtim.

Ai tha sundimi i ligji, lufta kundër korrupsionit mbeten prioritet i Qeverisë së Kosovës.

"E sigurova kancelaren se do të punojmë shumë në përfshirjen e qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës. Ata janë qytetarët e vendit tim dhe kam për obligim t’iu shërbejmë të gjithëve... Në veri qeveria nuk është në konflikt me qytetarët, por ligji me anarkinë”, u shpreh Thaçi.

Ai falënderoi edhe ushtarët gjermanë, disa prej të cilëve janë plagosur në veri, duke u shprehur "Unë përkulem dhe lutem për shëndetin e tyre”.

Pas takimit me Thaçin,Merkel është nisur në bazën gjermane të KFOR-it.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus