Kryesore » 2012»Mars»21 » LDK e AAK kundër një ekipi të unitetit për veriun
3:52 PM
LDK e AAK kundër një ekipi të unitetit për veriun
Një përpjekje e mundshme e Qeverisë së Kosovës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar që të krijojë një ekip të unitetit për veriun duke përfshirë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duket të jetë e destinuar të dështojë.Zyrtarët e dy subjekteve opozitare, thonë se nuk janë të interesuar të bëhen pjesë e projekteve që vijnë nga presioni ndërkombëtar.Pas paralajmërimeve për një presion të mundshëm të faktorit ndërkombëtarë për të krijuar një ekip uniteti për çështjen e veriut, dy partitë opozitare LDK dhe AAK thonë se nuk do të bëhen pjesë e një formati të tillë politik. Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani i tha Radio Kosovës se kjo parti nuk do të bëhet pjesë e një ekipi të tillë pasi ka vendosur ta jap kontributin e saj në Parlamentin e Kosovës."LDK nuk është e gatshme që të jetë pjesë e ndonjë ekipi që merret me këtë çështje, mirëpo, natyrisht, që përkrahja për çdo zgjidhje dhe çdo vendim që është në interes të qytetarëve duke përfshirë këtu edhe çështjen e veriut do të jepet në Parlament”, ka thënë Osmani. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi tha për Radio Kosovën se çështja e veriut është e mbyllur me vetë faktin se është shpallur pavarësia dhe në bazë të Kushtetutës, tërësia territoriale e vendit është e garantuar dhe duhet të mbrohet me të gjitha mjetet."Ne punojmë në interesa të qytetarëve të Kosovës kurdoherë që ka nevojë. Mirëpo, në projekte të cilat bashkësia ndërkombëtare ushtron presion ndaj Qeverisë për t’i detyruar të ulin nivelin e funksionimit shtetëror të vendit, nuk jemi të interesuar dhe as nuk e kuptojmë pse t’u nënshtrohen presioneve kur e kanë për detyrë para qytetarëve që t’i zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Isufi.Faktori ndërkombëtarë ka potencuar disa herë së fundi se çështja e veriut duhet të zgjidhet përmes bisedimeve të drejtpërdrejta Kosovë-Serbi. Edhe ndërmjetësi për bisedime teknike Robert Kuper ka deklaruar ditë më parë se shumë shpejt pret që në Bruksel të diskutohet edhe çështja e veriut duke thënë se për këtë ai nuk do të jetë ndërmjetës dhe se diskutimet duhet të bëhen në nivel më të lartë të përfaqësimit politik të Kosovës dhe Serbisë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus