Mospërmbyllja e marrëveshjes së partnerëve të koalicionit qeverisës PDK - AKR lë të hapur shtegun edhe për "një riformatim" të kabinetit të Qeverisë Thaçi 2, ku humbës mund të dalë ministri i arsimit, Ramë Buja. Burime të gazetës brenda ekzekutivit, kanë konfirmuar në kushte anonimiteti, se nga dhjetë ministrat e forcës më madhe në pushtet, kryeministri Hashim Thaçi pritet ta "viktimizojë” ministrin Buja, për t’ia lëshuar vendin Ibrahim Gashit nga Aleanca Kosova e Re, zëvendësministër i jashtëm. "Për t’iu përmbajtur marrëveshjes së partnerëve të koalicionit, kreu i ekzekutivit Thaçi pritet t’ia shqiptojë një "katron të kuq” ministrit Ramë Buja dhe në vend të tij të ulet Ibrahim Gashi i AKR”, ka thënë njëri nga ministrat e kabinetit qeveritar, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri. Sipas tij, këto ndryshime nuk do të ndodhin për shkak të mosangazhimeve të ministrave, por kryekëput "viktimizimi” do të ndodhë me qëllim të realizimit të marrëveshjes ndërmjet partive në pushtet. Ndryshimet në kabinetin qeveritar thuhet se do të ndodhin me qëllim të krijimit të një baraspeshe dhe përmbylljes së marrëveshjes në mes partnerëve të koalicionit qeveritar, të arritur nga kryeministri Thaçi dhe ish-liderit të Koalicionit Kosova e Re, Behgjet Pacolli, në prill të këtij viti.
Shefja e Grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, sqaron se tërheqjes së Behxhet Pacollit nga pozita e presidentit është ridizajnuar një marrëveshje, e cila parasheh që Koalicioni për Kosovë të Re (KKR) t’i ketë pesë ministra dhe nëntë zëvendësministra, marrëveshje kjo që ende nuk është përmbushur nga kreu i ekzekutivit Thaçi.
"Ne presim që kryeministri Thaçi t’i përmbahet me përpikëri marrëveshjes së ridizajnuar, pasi KKP-ja aktualisht ka vetëm katër ministra dhe pesë zëvendësministra. Sipas të gjitha gjasave Ibrahim Gashi i AKR-së do të jetë ministër i ardhshëm, por se në cilën ministri do të emërohet kjo do të varet nga PDK-ja", ka thënë Selmani.
Ndërkaq, vetë zëvendësministri aktual, Ibrahim Gashi, nuk ka dashur të komentojë për mundësinë e marrjes së "timonit” të Ministrisë së Arsimit.
Mirëpo, zyrtar të PDK-së thonë se nuk pritet të ketë "turbulenca” dhe rokada në listën e ministrave të këtij subjekti politik. Ramadan Avdiu, zëvendësministër i Ekonomisë nga PDK-ja, thotë se në strukturat e partisë së tij nuk është shtruar çështja e mundësisë së ndonjë ndryshimi në kabinetin qeverisës. Madje, ai i ka quajtur spekulime pohimet për mundësinë e largimit të ministrit të arsimit, Ramë Buja.
"S’ka asgjë zyrtare dhe të gjitha janë spekulime. Ministri Buja ka treguar rezultate të dukshme gjatë kësaj periudhe dhe nuk ka asnjë arsyeje që ai të largohet”, ka thënë Avdiu, derisa ka qenë e pamundur që të kontaktohet vetë ministri i arsimit.
Mirëpo, sipas Ramadan Avdiut, AKR-ja ka "hise” më të madhe karshi fuqisë politike. "Besoj se partneri i koalicionit, AKR-ja është shumë e kënaqur me pozitat qeveritare që ka, sepse dihet se ky subjekt politik ka më shumë pushtet krahasuar me fuqinë politike”, ka thënë Avdiu.
Ndërkaq, analistë në Prishtinë thonë se "riformatimin” i ri i kabinetit të Qeverisë Thaçi 2 ndodh vetëm për shkak të ngopjes së apetiteve njëra ndaj tjetrës sesa që merren me qeverisje efikase.
"Marrëveshje e koalicionit po tregohet mbi institucionet e Kosovës, pasi që partitë në koalicion më shumë interesohen që t’ia përmbushin njëra tjetrës apetitet, sesa që merren me qeverisje më efikase”, ka deklaruar analisti politik, Krenar Gashi.
Qeveria Thaçi 2 ka qenë në thumb të kritikave sa i përket rritjes së numrit të ministrive, por edhe numrit të madh të zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave. Kosova krahasuar edhe me vendet e rajonit, prin sa i përket numrit të ministrive.
Derisa Shqipëria, e cila ka mbi 3.5 milionë banorë dhe ka vetëm 15 ministri, vendi ynë me rreth 2 milionë banorë ka 6 ministri më shumë. Qeveria e Kosovës do të ketë më shumë ministri edhe sesa vendet e rajonit, si Maqedonia, e cila ka 19 ministri, Mali i Zi 16.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus