Kryesore » 2012 » Gusht » 7 » Konfirmimi i aktakuzës ndaj Mustafit, më 11 shtator
1:39 PM
Konfirmimi i aktakuzës ndaj Mustafit, më 11 shtator
Procesi i konfirmimit të aktakuzës ndaj Prokurorit Nazmi Mustafi, vëllezërve Zherka dhe Mirela Ndocit fillon më 11 shtator. Ftesat u janë shpërndarë palëve, por jo edhe aktakuza, e cila është ngritur para një jave. Avokatët mbrojtës janë ankuar për pabarazi nga EULEX-i, ndërsa në vazhdim të raportimit për këtë rast KTV-ja sjell dëshminë e Reshad Zherkës, i cili para prokurorit ka mohuar të ketë marrë para nga Pashk Mirashi apo dikush tjetër në llogari të Nazmi Mustafit.Njëri prej rasteve më me prioritet për EULEX-in duket të jetë ai i prokurorit Nazmi Mustafit dhe të tjerëve.Tashmë për këtë rast po punojnë dy prokurorë ndërkombëtarë dhe një javë pas ngritjes së aktakuzës Gjykata ka dërguar ftesat për seancat e konfirmimit të aktakuzës, më 11 shtator.

Por asnjëri prej avokatëve mbrojtës të katër të akuzuarve, Nazmi Mustafit, vëllezërve Zherka dhe Mirela Ndocit, ende nuk kanë pranuar kopjet e aktakuzës.

Për këtë, avokatët e vëllezërve Zherka, Kastriot Spahiu dhe Zeqir Ibërdynaj, i kanë thënë KTV-së nëpërmjet telefonit të kenë deponuar një ankesë për trajtim të pabarabartë nga ana e EULEX-it.

Sipas tyre, është e pakuptimit prokuroria t’ua dorëzojë vendimet për zgjatjen e paraburgimit duke u thirrur në aktakuzë, e kjo nuk u është dorëzuar ende.

Në vazhdën e raportimit për këtë rast, KTV-ja disponon me dëshminë e Reshad Zherkës para prokurorit, e i cili mohon çfarëdo marrje të hollash nga Pashk Mirashi apo dikush tjetër në këmbim të ndikimit te prokurori Nazmi Mustafi për pushim të hetimeve.

"Në lidhje me akuzën e parë që ka të bëjë me Pashk Mirashin. Në fakt, Pashk Mirashi më ka kontaktuar dhe jo e kundërta. Nuk e di se si ka marrë vesh ai se unë kam marrëdhënie të mira me Nazmi Mustafin. Në kohën kur unë kam biseduar me të për herë të parë në restorantin Pishat në Shkup, kur unë kam qenë atje me vëllain tim, Xhelal Zherka, duke pirë kafe, ndërsa ai ishte me një person tjetër në tavolinën tjetër”, ka thënë Zherka, duke shtuar se asnjëherë nuk ka marrë para për llogari të Mustafit.

Sipas tij, rreth 20 mijë euro i ka marrë nga një kunat i Pashk Mirashit për çështje të biznesit dhe jo për të ndikuar te Mustafi për çështjen e Mirashit.

"Ato para janë marrë nga unë për çështje të biznesit tim, e jo për Prokurorinë Nazmi Mustafi dhe e kam refuzuar menjëherë. Nuk kam pasur ndonjë ide. Unë mund t’ ju siguroj, unë betohem në Zot dhe në familjen time se nuk kam pasur ndonjë ide. Unë besoj në Zot, unë jam mysliman. Nuk kam pasur ndonjë ide për ndonjë hetim. Unë nuk kam pasur ide se Pashk Mirashi është një psikopat”, ka dëshmuar Reshad Zherka.

Në prill të këtij viti, Policia e EULEX-it arrestoi ish-shefin e Task Forcës Anti Korrupsion, Nazmi Mustafi dhe vëllezërit Zherka pas denoncimeve për korrupsion të Pashk Mirashit.

Më pas, prokuroria i zgjeroi hetimet duke ngritur aktakuzë edhe ndaj shtetases nga Shqipëria, Mirela Ndocit, person shumë i afërt i prokurorit Nazmi Mustafi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 1.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus