Këshilltarët e presidentes Atifete Jahjaga kanë vendosur të mos i lejojnë gazetarët të pyesin për tema që ajo nuk mund t’u përgjigjet. Kështu ka ndodhur të premten në Aeroportin Prishtinës, pas kthimit të Jahjagës nga një vizitë në Itali. Në konferencën për media, këshilltarët e presidentes kanë kërkuar disa herë të mos bëhen pyetje që nuk janë në të njëjtën vijë me "temën për të cilën janë ftuar gazetarët”. "Ju lus edhe një herë, kolegë të nderumë, që t`i përmbaheni temës për të cilën keni ardhur dhe që të mos dalim jashtë asaj”, ka qenë kërkesa e zëdhënësit të presidentes, Arbër Vllahiu. Gazetarët nuk iu janë bindur "lutjeve” të këshilltarit të Presidentes për të bërë pyetje vetëm rreth vizitës në Ital, shkruan Expressi.
Presidentja është pyetur për garancitë që ka marrë për mosndarjen e Kosovës dhe për një draftmarrëveshje ndërmjet Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Pas pyetjes, presidentja, e cila sipas Kushtetutës është Komandante Supreme e FSK-së dhe ish-pjesëtare e Policisë së Kosovës, ka kërkuar ndihmë nga këshilltarët me anë të mimikës.
Ata kanë reaguar duke i dhënë publikisht sugjerime shefes.
"Këto pyetje kanë dalë jashta temës për të cilën jeni njoftu. Të dyja pyetjet janë jashta temës”, ka reaguar zëdhënësi Vllahiu, i cili deri para pak kohësh ka qenë gazetar i BBC-së në gjuhën shqipe.
Ai i ka thënë presidentes që të mos përgjigjet në pyetjen që ka të bëjë me FSK-në, Garda e së cilës po i rreshtohet shpesh presidentes.
"Për pyetjen e dytë, jo”, ka qenë urdhri i Vllahiut për presidenten.
"Ëhë”, është përgjigjur presidentja Jahjaga, duke filluar të japë përgjigje vetëm për garancitë që ka marrë për shtimin e njohjeve.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus