Kryesore » 2011 » Dhjetor » 11 » Jahjaga e oficerët, me diploma ilegale
3:01 PM
Jahjaga e oficerët, me diploma ilegale
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe drejtuesit e Policisë së Kosovës mund të krenohen se kanë diploma masteri dhe specializime për kriminalistikë nga Universiteti i Sarajevës, si dhe mund të jenë ngritur në karrierë falë këtij shkollimi, i cili është i jashtëligjshëm dhe një diplomë e pavlerë. Këtë fakt e konstaton një Auditim dhe Inspektim i brendshëm i Policisë së Kosovës, i iniciuar më 2009. 
E para e vendit, Jahjaga, dhe policët tjerë, pos që mund të jenë ngritur në pozita të ndryshme në Policinë e Kosovës dhe në karrierë falë këtyre diplomave ilegale, ata kanë dëmtuar edhe buxhetin e Kosovës me mijëra euro.Pavarësisht se legjislacioni kosovar obligon çdo institucion të lartë arsimor në Kosovë që të licencohet dhe akreditohet për të zhvilluar veprimtarinë e tij, këtë nuk e ka bërë Universiteti i Sarajevës nën emrin e të cilit pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndjekur programe magjistrature dhe studime specialistike. Me synimin për ngritjen e nivelit profesional të policisë, ky shkollim i përbërë prej dy trajnimeve në Universitetin e Sarajevës ka kaluar kufijtë e ligjshmërisë. Paligjshmërinë e ka konstatuar një hetim i iniciuar nga Njësia për Auditim dhe Inspektim e Policisë në janar të 2009-ës, e sipas të cilit, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë ndjekur dy trajnime sipas një marrëveshjeje të lidhur ndërmjet Policisë së Kosovës (atëherë SHPK) në vitin 2006 me Institutin për Kriminologji dhe Studime të Sigurisë të Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës të Universitetit të Sarajevës me dekan Ramo Maslesha, por që ky institucion nuk ka pasur licencë, ndonëse Ligji i vjetër për Arsimin e Lartë në Kosovë, ka detyruar çdo bartës të arsimit të lartë në Kosovë të ketë një licencë për të kryer punën e tij, e cila lëshohet nga Ministria e Arsimit. 

Policia nuk respekton ligjin

"Ky universitet për veprimtarinë e vet në Kosovë, nuk është i licencuar as i akredituar e as që ka bërë kërkesë për këtë në Ministrinë e Arsimit, që është kompetente për këtë, në asnjë nga format e parapara me ligj, si subjekt që zhvillon veprimtari të arsimit të lartë”, thuhet në këtë raport të inspektimit, një kopje e të cilit është siguruar nga "Zëri”.

Shkeljet gjatë këtyre studimeve janë bërë disa herë. Por, njëra nga to është kjo që sipas marrëveshjes ligjëratat janë paraparë të mbahen në objektet e Policisë, por fillimisht ato janë mbajtur në hapësirat e objektit të Universitetit "AAB” në Prishtinë. E hetimet e zhvilluara nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë vërtetuar se "Fakultetit të Kriminalistikës të AAB-së i është refuzuar licenca për të funksionuar për shkak të mungesës së pajisjeve dhe objektit adekuat”.

Nënshkruesit e marrëveshjes janë pajtuar për Planin dhe Programin e studimeve postdiplomike të specializuara nga fusha e Menaxhmentit të Sigurisë... Përkundër kësaj, asnjë lëndë mësimore që zhvillohet në Prishtinë, është konstatuar se nuk është në harmoni me planin mësimor të këtij fakulteti.

Ndonëse në korrik të vitit 2008 Qeveria e Kosovës bazuar në Raportin e Këshillit Britanik për akreditim pati marrë vendim që asnjë bartës i arsimit të lartë, përveç Universitetit Amerikan në Kosovë, nuk plotëson kriteret për t’u licencuar për të dhënë gradën universitare dhe nuk plotësojnë as kriteret për akreditim, tre muaj më vonë shefat e departamenteve të Policisë së Kosovës njoftohen për listën e kandidatëve të përzgjedhur për studime postdiplomike (magjistraturë) pranë Universitetit të Sarajevës.

Në këtë njoftim thuhet se si rrjedhojë e partneritetit dhe bashkëpunimit me ndihmën e DIFD-it britanik është mundësuar realizimi i fazës së dytë të projektit të studimeve postdiplomike të filluar kohë më parë. Në këtë grup janë përzgjedhur 19 kandidatë në mesin e tyre strukturat më të larta udhëheqëse të policisë si Rrahman Sylejmani, Reshat Maliqi... dhe Atifete Jahjaga, atëherë kryesuese e shtyllës së administratës dhe personelit, tani presidente e Kosovës.

Shefat e policisë diplomojnë ilegalisht


Në fund të inspektimit, organet e auditimit dhe inspektimit të policisë kanë konkluduar se në bazë të fakteve dhe informacioneve të mbledhura (dokumenteve) kanë ardhur në përfundim se identifikimi i nevojave të policisë për trajnim është bërë pa analizuar dhe vlerësuar nevojat formale dhe pa përcaktuar përmasat e sakta të nevojave për trajnime të specializuara si dhe nuk ka strategji për angazhimin e këtyre kuadrove pas përfundimit të këtyre studimeve.

"Trajnimi i zyrtarëve të Policisë së Kosovës në Institutin për Kriminologji ...të Universitetit të Sarajevës në tërësi është në kundërshtim me dispozitat ligjore, nuk është në përputhje me dispozitat ligjore nga lëmi i arsimit të lartë në Kosovë, Ligjin për Policinë e Kosovës, vendimin e qeverisë për rregullimin e licencimit dhe akreditimit, aktet nënligjore dhe vendimet e Policisë së Kosovës, e as në përputhje me planin mësimor të Fakultetit të Shkencave të Kriminalistikës të Universitetit të Sarajevës”, thuhet në raport.

Në vijim rekomandohet që të zbatohet në tërësi vendimi i Qeverisë së Kosovës për bartësit privatë të arsimit të lartë dhe që objektet e policisë të mos përdoren për studime. Ky mosrespektim i ligjit nuk është i panjohur edhe për Agjencinë për Akreditim të Kosovës (AAK).

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë në AAK, Ferdije Zhushi-Etemi, ka thënë se krejt kjo veprimtari me Universitetin e Sarajevës ka qenë ilegale. Ajo ka bërë të ditur se çdo institucion arsimor që do të veprojë në Kosovë duhet të veprojë sipas ligjit që rregullon çështjen e arsimit, të marrë licencën dhe të bëjë validimin e akreditimit nëse këtë e ka marrë në vendin nga vjen.

Zhushi-Etemi ka theksuar se kjo praktikë është ndjekur dhe po ndiqet nga Universiteti i Lubjanës i cili ka hapur një degë për studime në Kosovë dhe ka bërë validimin, por këtë nuk e ka bërë Universiteti i Sarajevës. Ajo ka thënë se në AAK, Universiteti i Sarajevës nuk ka aplikuar ndonjëherë për validim.

Vazhdohet përgatitja e punimeve shkencore

Edhe pse më 3 mars 2009 drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës me kërkesë të ministrit të MPB-së ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të trajnimit/edukimit me Universitetin e Sarajevës, Policia e Kosovës nëpërmjet Zyrës për Informim është përgjigjur për "Zërin” rreth këtij trajnimi duke e vlerësuar këtë trajnim pozitiv.

Nga kjo zyrë bëhet me dije se fillimisht me konkurs është bërë përzgjedhja e 30 zyrtarëve policorë të cilët kanë ndjekur studimet pasuniversitare në Universitetin e Sarajevës në Prishtinë, dhe prej këtyre 20 zyrtarë policorë janë financuar nga zyra amerikane (CIP) kurse 10 zyrtarë policorë i ka financuar Policia e Kosovës, duke konfirmuar se studimet për grupin e parë kanë zgjatë një vit dhe mësimi është zhvilluar në lokalet e Policisë në Prishtinë dhe se me sukses e kanë kryer këtë shkollim 21 zyrtarë policorë dhe kanë marrë thirrjen Specialist i Shkencave Kriminalistike.

Kjo zyrë në përgjigjen e saj thekson se ka vazhduar bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë DIFD-i britanik dhe me Universitetin e Sarajevës për vazhdimin e Studimeve Postdiplomike me grupin e dytë dhe janë përzgjedhur 15 kandidatë, të cilët janë financuar nga DFID-i britanik dhe katër kandidatë janë mbështetur nga Sarajeva.

Pavarësisht kërkesës për pezullim të këtyre studimeve, nga policia bëhet me dije se edhe 20 kandidatë janë në përgatitje të punimeve të tyre shkencore. "…Edhe 20 kandidatë janë në përgatitje të punimeve të tyre shkencore”, është përgjigja që "Zëri” ka marrë nga Zyra për Informim e Policisë, por e cila nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen se kanë qenë apo jo legale këto studime.

US-ja s’kishte as licencë

Këshilltari politik i ministrit të arsimit, Ragip Gjoshi, për këtë problem i është referuar periudhës së rrethanave të vitit 2008, kohë kjo që, sipas tij, të gjitha institucionet kanë punuar vetëm licenca, pasi nuk ka pasur akreditim nuk ka qenë i themeluar deri në 2008 Agjencioni për Akreditim.

Megjithkëtë, sipas raportit hetues të policisë,Universiteti i Sarajevës nuk ka pasur licencë as në atë kohë. E, më 20 shtator 2008, ministri i atëhershëm i arsimit, Enver Hoxhaj, gjatë një konference me ambasadorin e Britanisw sw Madhe, Andy Spearks, patën dhënë sqarime rreth akreditimit dhe licencimit të institucioneve private ku pati shpallur valide diplomat e fituara deri në vitin 2007, vendim ky që vlen vetëm për ato institucione të licencuara më parë nga MASHT -i.

Të diplomuarit, të kënaqur

Rrahman Sylejmani, zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës, i cili ka ndjekur këto trajnime të organizuara nga Universiteti i Sarajevës, ka konfirmuar për gazetën se para pak ditësh ka marrë dhe diplomën duke e quajtur shkollimin e tij shumë legal. Sylejmani ka pohuar se është në dijeni të një inspektimi të bërë për këtë shkollim dhe për pezullimin e tij të përkohshëm, të cilin e ndërlidh me pakënaqësinë e disa individëve në polici që nuk kanë korrur sukses gjatë këtyre studimeve dhe janë munduar të dëmtojnë të tjerët.

Përndryshe ai ka thënë se shkollimi që ka marrë gjatë këtij trajnimi master dhe specialistik i ka ndihmuar në punën e tij, pasi, sipas tij, të rejat në fushën e terrorizimit, narkomanisë...për të luftuar këto dukuri i ka gjetur në Universitetin e Sarajevës dhe jo në Prishtinë.

Policët e shkolluar në Universitetin e Sarajevës, Sylejmani tha se, marrin diplomat nga atje, certifikatat... dhe çdo gjë që kërkohet për këta studentë gjendet në këtë universitet shumë legalisht. Ai thekson se ligjëratat janë ndjekur në objektet e policisë dhe ligjëruesit kanë ardhur nga Sarajeva, kurse mësimi është zhvilluar sipas standardeve. Sylejmani ka në plan të shkojë në Ministrinë e Arsimit për të nostrifikuar diplomën, ashtu siç kërkohet me ligj për një studim të kryer jashtë.

Lista e kandidatëve për studime specialistike - Grupi I (22.10.2008):

Haxhi Krasniqi, Halil Bajrami, Ramadan Ahmeti, Bujar Bazaj, Ali Aliu, Bashkim Salihu, Zijadin Isaku, Florim Maqani, Artan Shkreli, Jakup Veseli, Fidaim Haliti, Dardan Nuhiu, Bujar Qorolli, Njazi Canolli, Zeqir Kryeziu, Faton Kajtazi, Sherif Maxhuni, Agim Rexhepi, Ahmet Xhosha, Muhamet Klaiqi, Blerim Haxhiu, Muhamet Krasniqi, Ismet Fetaj, Zejnullah Gashi, Shemsi Haziri, Xhemajl Sallahu, Naim Rexhaj, Nekibe Bajraktari, Fazli Rugova, Islam Bahtiri.

Lista e kandidatëve për studime postdiplomike- Grupi II (13.11.2008):

Naim Rexha, Taibe Canolli, Rrahman Sylejmani, Reshat Maliqi, Shefqet Beqaj, Shaban Azizi, Izet Azizi, Latif Merovci, Agim Lipovica, Ergin Medic, Halil Rukiqi, Mehmet Mehmeti,Gani Pajaziti, Fikret Uka, Sevdije Vraja, Shaban Mrasori, Ragip Bunjaku, Atifete Jahjaga, Blerim Olluri

Tërhiqen financuesit

Për 20 kandidatë ka qenë përcaktuar që mjetet financiare t’i sigurojë Zyra Amerikane në Prishtinë, përmes CPI (Civilian Police Internacional), kurse për dhjetë të tjerë mjetet t’i sigurojë SHPK-ja. Por, pas vitit të parë, Zyra Amerikane është tërhequr nga përkrahja financiare për arsye të panjohura dhe për hetuesit e policisë.

Për një kandidat 3.500 euro

Policia e Kosovës për shkollimin e grupit të kandidatëve ka paguar në total 35.000 euro për dhjetë veta, dhe për një polic vlera e studimeve ka shkuar në 3.500 euro. Kjo pagesë është bërë më 2006, kohë kur është nënshkruar marrëveshja.

"Zëri” ka siguruar edhe dokumente tjera pagese që mbajnë vulën e policisë, departamentit të thesarit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave ku po ashtu për këto studime figuron dhe një shumë prej 15.000 eurosh e derdhur më 07.08.2007 në konton e Universitetit të Sarajevës, ndërsa dhe 10.000 euro të tjera në qershor të të njëjtit vit
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus