Kryesore » 2011 » Qershor » 27 » Ja, marrëveshja
2:35 PM
Ja, marrëveshja
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri thotë se në fillim të korrikut do të arrihen gjashtë marrëveshje me Beogradin. Ajo, për gazetën Express, shpalos detajet e këtyre marrëveshjeve, të propozuara nga Ndërmjetësi Robert Cooper.Prishtina dhe Beogradi kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të para mes dy vendeve. Të paktën, këtë e thotë Edita Tahiri, Shefe e delegacionit kosovar në dialogun teknik me Serbinë. Në një prononcim për Express, të dielën, ajo ka thënë se gjithçka mund të finalizohet më 2 korrik, në raundin e radhës të dialogut, derisa ka shpalosur detaje të pakos që përfshin gjashtë marrëveshje, të cilat janë disenjuar nga ndërmjetësi i BE’së, Robert Cooper. Kjo marrëveshje u është bërë e ditur palëve më 6 qershor, ndërsa tani ekipet e ekspertëve po bëjnë finalizimin e detajeve. "Mendimi im është se janë afruar shumë pikëpamjet. Po ashtu, që pala jonë tashmë ka dhënë pëlqimin në parim për propozimet që i ka paraqitur më 6 qershor ndërmjetësi Robert Cooper. Ne mendojmë se ato propozime janë mjaft të mira dhe japin zgjidhje të mirë për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve, pra vendosjen e një reciprociteti në fushën e lëvizjes së lirë”, ka thënë Tahiri, për Express. 

Për Shefen e delegacionit kosovar, propozimmarrëveshjet që kanë dalë më 6 qershor nga zoti Cooper, përfshijnë idetë e të dyja palëve dhe idetë europiane.


"Kjo është një bazë e mirë, e cila siguron marrëveshje të qëndrueshme. Ne nuk do të bëjmë pra lëshime, do të qëndrojmë te pozicioni i propozimmarrëveshjeve të datës 6 qershor”, ka thënë ajo.

Qeveria e Kosovës dhe Tahiri si përfaqësuese në bisedime kanë insistuar që marrëveshjet të arrihen gjatë korrikut, në mënyrë që të fillojë menjëherë zbatimi i tyre.

Disa prej këtyre marrëveshjeve mund të fillojnë menjëherë të implementohen, siç është çështja e lëvizjes së lirë, apo e njohjes së vulave të doganave.

"Pra kjo, në mënyrë që ditën e nesërme, pas marrëveshjes mund të fillojë reciprociteti në tregtinë e lirë, përkatësisht, Kosova fillon të eksportojë në Serbi apo të përdorë territorin serb si transit për eksportime në destinacione europiane. Kështu që, disa nga marrëveshjet, pra mund të fillojnë së zbatuari menjëherë pas nënshkrimit”.

Arritja e pakos së marrëveshjeve, përveç që i jep rast implementimit, ajo, sipas Tahirit, do t’i kontribuojë Kosovës për përafrim me Bashkimin Europian.

"Ne kemi kërkuar nga BE’ja që të dyja vendet duhet në mënyrë të balancuar të përparojnë drejt BE’së. Kërkesat tona janë që në këtë periudhë, Kosova të fitojë liberalizimin e vizave dhe të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE’në. Ne vlerësojmë se dialogu teknik duhet t’i kontribuojë pra afrimit substancial të Kosovës me BE’në”.

E pyetur nëse arritja e marrëveshjes me Serbinë do të kalojë nëpërmjet Kuvendit të Kosovës, Kryenegociatorja Tahiri ka thënë se përgjigjja e saj për këtë fazë është që modalitetet e marrëveshjeve do t’i propozojë ndërmjetësi Robert Cooper.

"Ne ende nuk kemi marrë nga ai ndonjë propozim zyrtar, prandaj nuk dua të paragjykoj në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Por, çka përmban kjo pako?

Në këtë pyetje përgjigjet Edita Tahiri.

Lëvizja e lirë
Edita Tahiri thotë se dialogu për lëvizjen e lirë është bazuar në dy parime: 1. Për ta mundësuar lëvizjen e lirë të njerëzve mes dy vendeve dhe 2: Parimi i reciprocitetit.

Qytetarët e Kosovës hyjnë në Serbi me letërnjoftim të Republikës së Kosovës dhe po ashtu qytetarët e Serbisë hyjnë në Kosovë me letërnjoftim të Republikës së Serbisë.

Kur një qytetar i Kosovës dëshiron të kalojë transit përmes Serbisë për të udhëtuar drejt një shteti të tretë, atëherë ai në kufirin mes Serbisë dhe vendit të tretë e paraqet pasaportën e Republikës së Kosovës. E njëjta gjë do të aplikohet edhe në Kosovë, për qytetarët e Serbisë.

"Pastaj, me këtë marrëveshje njihen edhe dokumentet e tjera të Republikës së Kosovës, siç janë patentë shoferët, targat e automjeteve. Me këtë rast, rregullohet çështja e sigurimit të automjeteve. Pra, gjithë dokumentacioni që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve. Unë mendoj se ky zhvillim i ri e afron edhe Kosovën, edhe Serbinë drejt BE’së”, ka thënë Tahiri.

Sa i takon çështjes së targave, Tahiri tha se do të përdoret modeli sikur mes Greqisë dhe Maqedonisë, dy vende këto që kanë marrëdhënie jo të mira politike mes vete.

Detajet, siç ka thënë ajo, do të dihen më vonë, por ka shtuar se çdo gjë do të shkojë me parim të reciprocitetit.

Po ashtu, me këtë propozim të marrëveshjes do të rregullohet edhe çështja e targave të paraluftës, të lëshuara nga Serbia.

Sipas draftmarrëveshjes, Qeveria e Kosovës do t’ua vazhdojë validitetin targave KS për qytetarët serbë dhe të tjerët që jetojnë në Kosovë, e që aktualisht refuzojnë të pajisen me targa të reja RKS.

"Marrëveshja për lëvizjen e lirë i jep fund përdorimit të targave të ish-Jugosllavisë, apo çfarëdo targash ilegale që janë në Kosovë nga ajo periudhë. Po ashtu, me këtë projektmarrëveshje shuhen të gjitha zyrat paralele që kanë prodhuar dokumente udhëtimi apo automjetesh. Ndërsa një transicion që kemi pasur për targat nga KS në RKS, pra do të vazhdojë ende, por përkohësisht. Qytetarët të cilët kanë targa të paraluftës, do të marrin tabela ose RKS direkt, ose do të mund të përdorin transicionin - KS. Por në fund të transicionit, ata do të kenë tabela RKS”, ka thënë Tahiri.

Marrëveshja përfshin edhe polisën e sigurimit për vetura.

Deri më tani, dëmet e shkaktuara në trafik nga vozitësit me targa të paraluftës të lëshuara nga Serbia, nuk kanë paguar kurrfarë dëmshpërblimi, duke shkaktuar dëme prej miliona euro për shtetin e Kosovës.

Kjo çështje është menduar të zgjidhet përmes një marrëveshjeje mes Shoqatës së sigurimeve të Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Telekomunikacioni
Sa i përket fushës së telekomunikacionit, Zëvendëskryeministrja Tahiri ka treguar se projektmarrëveshja parasheh një bashkëpunim në këtë fushë.

"Marrëveshja parasheh ndërprerjen e operatorëve ilegalë dhe arritjen e një marrëveshjeje roaming midis operatorëve të telekomunikacionit të Kosovës dhe të Serbisë, në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohen shërbime telekomunikuese cilësore dhe me tarifa të favorshme”, ka treguar Tahiri.

Marrëveshja e telekomunikacionit parasheh shuarjen e operatorëve ilegalë mobilë, por edhe ndërhyrjen e telekomit serb në telefoninë fikse të Kosovës.

"Siç e dini, në pjesën veriore të Kosovës, aktualisht veprojnë ilegalisht Telenori dhe MTS Serbia, por edhe ka interferime në telefoninë fikse. Kjo marrëveshje u jep fund këtyre ndërhyrjeve ilegale”, ka thënë ajo.

Duke folur për vështirësitë në të cilat mund të hasë marrëveshja Kosovë-Serbi për Veriun e Kosovës, Tahiri ka përmendur modelin e integrimit të serbëve në Kroaci, veçmas atyre të Sllavonisë Lindore.

"Të gjithë e dimë se edhe atje ka pasur njëlloj përpjekjeje pra që serbët e Kroacisë të mos integrohen, por pas një periudhe rreth dhjetëvjeçare, ka ndryshuar realiteti dhe sot ata janë të integruar. Edhe Kosova, pra, me këto marrëveshje në fakt do të vendosë një bashkëpunim ndërshtetëror me Serbinë, por në anën tjetër, ky bashkëpunim do të nënkuptojë ndërprerjen e ndërhyrjeve që Serbia i ka bërë në Kosovë deri tash, si dhe integrimi i një pjese të vogël të serbëve që kanë mbetur jashtë, do të ndodhë me sukses, siç ka ndodhur me pjesën më të madhe të serbëve që sot janë pjesë e institucioneve të Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

Energjia
Projektmarrëveshja për energji, sipas Tahirit, parasheh vendosjen e bashkëpunimit Kosovë-Serbi në fushën e energjetike.

"Do të vendosen pra sigurisht të gjitha rregullat që i përcakton Traktati i Athinës, për bashkëpunimin rajonal. Do të fillojë koha kur transmisionet që Serbia i krijon në Kosovë gjatë bartjes së energjisë elektrike, të fillojë t’i kompensojë. Kjo sepse nuk i ka bërë deri tash. Do t’i kompensojë pra në mënyrë financiare”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se pas kësaj marrëveshjeje, do të fillojë normalizimi i pagesave për KEK’un.

Marrëveshja parasheh një plan për normalizim të pagesave për energjinë elektrike nga ana e të gjithë serbëve të Kosovës.

Përfitimet në këtë pikë të marrëveshjes, për Kosovën, do të jenë përfitime financiare.

Deri tani, siç ka bërë të ditur Tahiri, KEK’u ka humbur rreth 2 milionë euro në muaj si pasojë e mospagesës së energjisë së shpenzuar.

"Me këtë marrëveshje, KEK’u do të mund të inkasojë rreth 24 milionë euro më shumë për një vit. Mos të flas pastaj edhe për shifrat që do të jenë në planin e transmisionit”, ka thënë ajo.

Vula doganore
Propozimmarrëveshja për vulat doganore, sipas Zëvendëskryeministres Edita Tahiri, është që vulat e Doganave të Kosovës që i ka njohur Bashkimi Europian, para tri viteve, t’i njohë edhe Serbia.

"Këto janë vulat e Republikës së Kosovës që janë valide pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë Tahiri.

Tregtia e Lirë

Projektmarrëveshja për Tregtinë e Lirë, sipas Tahirit, do të jetë zgjidhje në përputhje me parimet evropiane dhe të reciprocitetit.

Dokumentacioni

Çështja e dokumentacionit kadastral dhe Regjistrave Civilë, sipas Zëvendëskryeministres Tahiri, është po ashtu në fazën finale.

Ajo ka treguar se është formuar një grup i udhëhequr nga EULEX’i, ku përfshihen ekspertët nga Kosova dhe Serbia, të cilët janë duke punuar për të bërë vërtetimin e besueshmërisë së dokumenteve që janë marrë nga Kosova gjatë kohës së luftës, për t’i parë mos ka vakuume apo ndryshim të dhënash në periudhën sa kanë qëndruar në Serbi.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus