Kompania IPKO ka vendosur t’i ndajë 10,000 euro për shkollimin e Amsera Rekës, vajzës 5 vjeçe që i shpëtoi tragjedisë së Restelicës. Për të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së fshatit Restelicë, vogëlushen 5-vjeçare Amsera Reka, do të kujdeset kompania IPKO, e cila është zotuar se do ta mbështesë shkollimin e saj gjatë viteve të ardhshme. Për më shumë, IPKO-ja është zotuar ta ndihmojë komunitetin e Komunës së Dragashit dhe t’i qëndrojë pranë duke e mbështetur atë në vazhdimësi.Pas shpëtimit nga tragjedia e ortekut të borës në fshatin Restelicë, e mbijetuara e vetme, 5-vjeçarja Amsera Reka e ka përkrahjen e familjes së gjerë, e cila do të kujdeset për të, qytetarëve, por edhe të kompanisë IPKO, për një të ardhme të sigurt, edhe pse ajo do të jetojë pa prindërit e saj.Kjo, pasi sot zyrtarët e kompanisë IPKO së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, e kanë vizituar familjen e nënës së ndjerë të Amsera Rekës, së cilës i kanë premtuar se kompania e tyre ka vendosur të kontribuojë financiarisht për edukimin e saj formal gjatë viteve të ardhshme. I pranishëm në takimin me familjarët e Amsera Rekës, ka qenë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hamza Balje.Megjithatë, siç edhe mund të pritet, kompania IPKO ka zgjedhur në model të qëndrueshëm për ta mbështetur shkollimin e Amserës përgjatë viteve të ardhshme. Nga donacioni në vlerë prej 10,000 eurosh, IPKO-ja do ta ndajë gjysmën e shumës për familjarët, të cilët kujdesen për Amserën, përkatësisht për kujdestarin e saj ligjor, ndërsa pjesën tjetër të mbetur të këtij donacioni do ta depozitojë në një bankë komerciale, dhe më pas kjo shumë do të mund të përdoret për shkollimin e mëvonshëm të Amserës.
"IPKO-ja ka vendosur që t’ju mbështesë juve dhe Amserën, që t’ua lehtësojmë sadopak kujdesin për mbesën tuaj dhe gjithashtu të kujdesemi që ajo do ta marrë shkollimin e merituar. Synimi primar i kompanisë është që ta mbështesë edukimin e vazhdueshëm të Amserës, ndërsa përkrahja jonë për të gjithë qytetarët e Dragashit, duke përfshirë edhe banorët e fshatit Restelicë, do të jetë e vazhdueshme”, ka thënë drejtuesi i marrëdhënieve me publikun në IPKO, Alban Kastrati.
Ndihmën e kompanisë IPKO e kanë çmuar shumë familjarët e Amserës, të cilët janë ngushëlluar nga mijëra qytetarë të Kosovës, si dhe zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës. Ndërsa, kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi ka shprehur mirënjohjen e tij për ndihmën e kompanisë IPKO ndaj Amsera Rekës dhe komunitetit lokal.
"Në emër të qytetarëve të Dragashit, unë ju falënderoj për kujdesin dhe kontributin e dhënë. IPKO-ja ka treguar një shembull qytetarie për banorët e kësaj zone, në momentin kur mbështetja për këtë zonë është e domosdoshme”.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus