Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për të përditshmen prestigjioze turke "Hürriyet”, ka thënë se Kosovën tashmë e kanë njohur pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së.Ministri Hoxhaj në intervistë ka bërë të ditur se Kosova synon të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara dhe se një hap të tillë strategjik do ta ndërmarrë pas bisedave me miqtë dhe partnerët e saj."Këtë vit, çdo muaj kemi pranuar nga një njohje nga vende të ndryshme të botës. Ne jemi duke punuar shumë për të rritur numrin e njohjeve, në të njëjtën kohë synojmë anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Kosova tashmë është anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe së fundi edhe anëtare e BERZH-it”, ka thënë Hoxhaj.
"Ne do të flasim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Turqinë dhe partnerë e tjerë euroatlantik, të cilët na kanë mbështetur masivisht në vitet e kaluara”, ka shtuar ai.
Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ai ka pohuar se Kosova është e interesuar që të mbyll kapitullin e errët të historisë me Serbinë dhe të krijojë një relacion normal dhe një bashkëpunim bilateral.
Hoxhaj ka folur edhe për fillimin e implementimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve (IBM), transmeton "Zëri”.
"Me këtë marrëveshje, Serbia ka njohur kufijtë e Kosovës”, ka thënë kryediplomati kosovar, duke paralajmëruar dërgimin e një Ambasadori të Republikës së Kosovës në Beograd.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus