Kryesore » 2012»Mars»21 » Gjykatësi urdhëron lirimin e të pandehurve në rastin Kleçka
6:58 PM
Gjykatësi urdhëron lirimin e të pandehurve në rastin Kleçka
Gjykatësi kryesues në rastin "Kleçka" ka urdhëruar lirimin e të pandehurve nga paraburgimi. Kjo, pasi trupi gjykues ka marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, janë të papranueshme, raporton REL. "Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme", thuhet në njoftimin e EULEX-it."Rasti Kleçka" përfshin deputetin Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999.EULEX-i konfirmon se "Trupi gjykues në rastin ‘Kleçka’ ka marrë vendim që deklaratat dhe ditarët e Agim Zogajt, i njohur si Dëshmitari X, janë të papranueshme. Këtë vendim e ka marrë trupi gjykues, i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendas"."Gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale, dhe për këtë arsye dëshmia e Agim Zogajt është e papranueshme. Ekipeve të prokurorisë dhe të mbrojtjes u është kërkuar që t’i paraqesin deklaratat e tyre përfundimtare përpara se të nxiret aktgjykimi për këtë rast" thuhet në komunikatë.Në ndërkohë, gjykatësi kryesues ka urdhëruar lirimin e të pandehurve nga paraburgimi. Mbrojtja dhe prokuroria do të kenë të drejtën e ankesës pasi të shpallet aktgjykimi.Pas përfundimit të seancës gjyqësore avokati mbrojtës Tahir Rrecaj ka thënë se më në fund drejtësia triumfoi. Ai pret që edhe aktgjykimi të jetë lirues dhe dëshmitarët të shpallen të pafajshëm. Siç dihet, padia ndaj dhjetë ish-luftëtarëve të UÇK-së ishte ngritur nga Prokuroria e EULEX-it, duke u bazuar në dëshmitë e dëshmitarit tashmë të ndjerë, Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari "X”. Aktvendimi pritet të jepet brenda disa ditësh. Ndërsa sot pritet që Trupi Gjykues të vendosë nëse do t’i lirojë nga paraburgimi dhe arresti shtëpiak të akuzuarit.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus