Kryesore » 2011 » Maj » 21 » EULEX nuk merret me komunarët e dyshuar, lirohen javën e ardhshme
11:57 AM
EULEX nuk merret me komunarët e dyshuar, lirohen javën e ardhshme
EULEX-i nuk do që të merret me zyrtarët e Komunës së Prishtinës.
Kryetarja e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Maria Giuliana Civinini, ka hedhur poshtë kërkesën për të marrë përsipër rastin e gjashtë zyrtarëve të Komunës së Prishtinës të arrestuar para dy javësh nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, por ka premtuar se do ta monitorojë.
"Kryetarja e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it ka hedhur poshtë kërkesën për të marrë përsipër rastin nga një gjykatës vendor te një gjykatës i EULEX-it. Megjithatë, gjykatësit e EULEX-it nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë do të monitorojnë nga afër këtë rast”, ka konfirmuar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.
Me kërkesë të mbrojtjes të mërkurën është mbajtur një seancë në të cilën janë paraqitur argumentet dhe kërkesa e mbrojtjes që EULEX-i ta marrë rastin. Por asnjë prej arsyeve të parashtruara nga avokatët mbrojtës për politizim të rastit, mungesë të profesionalizmit të prokurores dhe gjyqtarit, etj. nuk e kanë bindur Civininin që ta marrë rastin përsipër.
Ndërkohë, javën e ardhshme, Gjykata Supreme pritet ta shqyrtojë ankesën e mbrojtjes kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë dhe një kolegji të kësaj gjykate. Por para se të ndodhë kjo, prokurorja e rastit, Drita Hajdari, do t’i lirojë nga paraburgimi gjashtë zyrtarët komunalë.
Burime brenda Prokurorisë kanë thënë se prokurorja Hajdari do t’i marrë në pyetje të dyshuarit dhe dëshmitarët, çka do ta bëjë të pavlefshme argumentin se të dyshuarit mund të ndikojnë në dëshmitarë.
Avokati Tomë Gashi thotë se një ndër arsyet pse nuk është marrë rasti nga EULEX-i është pikërisht se javën e ardhshme do të vendosë Gjykata Supreme lidhur me ankesën. Por problemi, sipas tij, është se prokurorja e rastit ende nuk ka vendosur për marrjen në pyetje, sepse i vetmi arsyetim është se mund të ndikojnë në dëshmitarë.
Gjerësisht lexoni sot në gazetën
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus