Kryesore » 2011 » Maj » 19 » EULEX-i si beson PK-së në veri
12:39 PM
EULEX-i si beson PK-së në veri
EULEX-it i ka ardhur në majë të hundës afria që Policia e Kosovës (PK) në veri të vendit ka me të dyshuarit që po i heton ky mision. Disa hetime janë pamundësuar dhe disa aksione i kanë dështuar misionit të BE-së, pasi që zyrtarë të Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit kanë bashkëpunuar me të dyshuarit.
Burime brenda EULEX-it, shkruajnë mediet sot, kanë shpjeguar për rastet kur të dyshuarit në atë pjesë të Kosovës kanë arritur të kuptojnë se po hetohen ose se po përgatitet një aksion kundër tyre. Rasti i fundit ka ndodhur më 15 shkurt të këtij viti, kur një aksion u ka shkuar huq, ngase të dyshuarit që lidhen me disa hetime për krim të organizuar ia kanë dalë të ikin. "Sa herë që ka bashkëpunim me PK-në, ka rrjedhje të informacionit", kanë thënë burime brenda misionit. 

"Kjo nuk nënkupton se nuk do të bashkëpunohet kurrë me të, por në rastet e ndjeshme është vlerësuar se është më mirë që të kryejmë vetë punën", citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë brenda misionit.

E puna vetëm duket se është e pamundur për EULEX-in, qoftë gjatë procedurave të hetimit, qoftë edhe gjatë aksioneve. Misioni nuk ka numër të madh të stafit dhe komunikimi i tyre me banorët lokal, gjë që vlerësohet shumë e nevojshme gjatë hetimeve, është i limituar. Sipas të njëjtave burime, misioni i BE së zgjidhjen e ka gjetur te mbështetja që po e merr nga KFOR-i. Prezenca ushtarake e NATO s përveç sigurimit të ambientit gjatë aksioneve, po i ndihmon EULEX-it edhe në përgatitjen e lëndëve.

Sipas burimeve brenda EULEX-it, bashkëpunimi me KFOR-in, si një prezencë më e madhe dhe që ka njësitë për komunikim me qytetarët, ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka ndihmuar në përgatitjen e lëndëve për disa nga të dyshuarit më të rëndësishëm në atë pjesë të vendit.

Burime tjera ndërkombëtare kanë shpjeguar se misioni do të ketë kujdes kur bashkëpunon me Policinë e Kosovës qoftë edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Arrestimi i njërit prej të dyshuarve kryesorë për krim të organizuar, Jevro Panteliq, të martën, është mundësuar vetëm falë bashkëpunimit që EULEX-i ka pasur me KFOR-in.

Panteliq, që vlerësohet si "kapo" e kontrabandës së derivateve, dyshohet se është njëri nga personat që ndërlidh kontrabandën me derivate. Informacionet shtesë brenda EULEX-it kanë shpjeguar se në kohën kur është arrestuar, ai i ka pasur me vete 14 mijë euro, prejardhjen e të cilave nuk ka mundur ta arsyetojë.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus