Kryesore » 2011»Maj»29 » Emin Krasniqi nuk ia lëshon zyrën Ilhami Gashit
9:55 AM
Emin Krasniqi nuk ia lëshon zyrën Ilhami Gashit
Emin Krasniqi dëshiron të jetë zëvendësministër, por jo në dikasterin ku e ka emëruar kryeministri Hashim Thaçi. Dëshiron të qëndrojë në postin që e ka ushtruar deri tash. Gjatë gjithë javës ai ka refuzuar t’ia lëshojë Ilhami Gashit zyrën e zëvendësministrit të Infrastrukturës, në të cilin post të hënën e ka emëruar kryeministri Thaçi, shkruan sot e përditshmja Koha Ditore. Të njëjtën ditë Krasniqi është emëruar zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe deri tash ka ushtruar të njëjtin funksion në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, së cilës prej tre muajsh i është ndërruar emri në Ministri të Infrastrukturës. Qeveria e re është krijuar më 22 shkurt, mirëpo deri në fillim të javës kryeministri nuk kishte emëruar numrat dy në dikasteret qeveritare. Pavarësisht kësaj, në disa ministri kishin ushtruar detyrën zëvendësministrat e mandatit të shkuar. Njëri nga ta ishte edhe Krasniqi. Një burim i gazetës brenda Qeverisë ka thënë se ai po refuzon t’ia lëshojë zyrën Ilhami Gashit. "Deri tash kurrkush nuk ka mundur ta bindë për ta lëshuar zyrën. Ai nuk ka ndërmend të shkojë në Ministrinë e Kthimit, sepse i duket nënçmim transferimi që ia ka bërë Thaçi”, ka thënë burimi i gazetës. "Ndoshta kryeministri do ta ndërrojë vendimin”. E Ilhami Gashi vazhdon të qëndrojë në shtëpi. Ai ka qenë këshilltar i Fatmir Limajt në kohën sa ka drejtuar Ministrinë e Transportit, si dhe kandidat i partisë së Thaçit, PDK-së, për kryetar të Komunës së Pejës. Pavarësisht këtij sfondi, akoma nuk i është lejuar ta ushtrojë funksionin e ri. Gashi ka treguar për këtë, por nuk ka dashur të flasë se kush është duke i bërë pengesë. Shkaqet ka thënë të mos i dijë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus