Kryesore » 2011»Maj»19 » Edhe raundi i katërt përfundon pa marrëveshje
10:05 PM
Edhe raundi i katërt përfundon pa marrëveshje
Përfundoi të mërkurën pasdite raundi i katërt i bisedimeve teknike mes Kosovës dhe Serbisë. Me gjithë dallimet e shfaqura, delegacionet e të dyja vendeve vlerësuan se ky ishte raundi më i suksesshëm deri tani. Takimi dyditor në Bruksel sipas kryesuesve të delegacioneve ishte produktiv para së gjithash sa i përket çështjes së lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, telekomunikacionit dhe energjisë elektrike. "Kur të shihni se në mbi 80 për qind ne jemi afër zgjidhjes dhe kur të shihni se kjo zgjidhje e ruan pozitën tonë dhe realizon të drejtat tona dhe rregullon raportet vetëm në Kosovë dhe Metohi, pa e fshirë Serbinë nga Kosova dhe Metohia, atëherë e kam të qartë se është normale që të ekzistojë rezistencë”, tha për Deutsche Welle shefi i delegacionit serb Borko Stefanovic. Stefanovic, thekson se pala serbe është e armatosur me durim dhe propozime, të cilat janë në përputhje me standardet evropiane, por po ashtu thotë se dialogu është proces dykahësh. "Nëse kërkohet secili rast që të bllokohet marrëveshja për kadastrën, atëherë mund ta paramendoni se sa i komplikuar do të jetë procesi kur të arrijmë tek çështja e veriut apo rregullimi i marrëdhënieve të përhershme mes Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.
E lutur të komentojë këto deklarata të kryengociatorit serb, shefja e delegacionit kosovar Edita Tahiri theksoi, se kur janë në pyetje procese serioze dhe në momentin kur jemi afër një marrëveshje nuk do të duhej të dilet me vlerësime të tilla. Komentet e tilla sipas Edita Tahirit, nuk e ndihmojnë një proces kaq kompleks. Megjithatë edhe për kryenegociatoren kosovare, takimi dyditor në Bruksel ishte produktiv para së gjithash sa i përket çështjes së lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, telekomunikacionit dhe energjisë elektrike.
"Dy ditët kanë qenë emocionuese, të vështira, por ekziston një përparim i vërtetë dhe shpresoj që kur të takohemi herën tjetër do të kemi mundësinë të bisedojmë për një marrëveshje kornizë, e cila do të kalojë për miratim përfundimtar nëpër qeveritë e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Tahiri. Sipas saj ka ende dallime në qëndrimet mes dy delegacioneve, por shumë prej tyre kanë arritur të tejkalohen. ‘Por për zgjidhjen e çështjeve të cilat nuk janë të lehta nevojitet guxim i ri”.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus