Kryesore » 2012 » Dhjetor » 5 » Dimër i “nxehtë” e pret Kosovën
12:33 PM
Dimër i “nxehtë” e pret Kosovën
Dimër me ngrohje dhe drita, kështu pritet të jetë dimri i këtij viti nëse KEK-u dhe "Termokosi” mbajnë fjalën se nuk do të ketë reduktime. Zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës thonë se gjendja është mjaft stabile dhe pa reduktime për asnjë kategori. Kështu pritet të jetë i tërë sezoni dimëror sipas tyre. "Aktualisht kemi 4 blloqe ne funksion që prodhojnë 800 megavat orë energji elektrike. Importojmë në bazë të nevojave. Gjendja pritet të jetë stabile edhe ditët në vijim, kjo është arritur falë përgatitjeve maksimale që ka bërë KEK-u për sezonin e dimrit”, ka thënë zëdhënësi i KEK-ut, Berat Buzhala. Sipas tij ditëve të fundit ka pas disa prishje si pasojë e motit të ligë dhe erërave të forta mirëpo sipas tij prishjet kanë qenë lokale dhe janë rregulluar në kohë rekorde. Buzhela ka folur edhe për numrin e rasteve të shumta të keqpërdorimit të rrymës nga qytetarët që sipas tij punëtorët e KEK-ut hasin gjatë kontrolleve në terren. 

"Janë mijëra raste ditët e fundit që janë zënë duke e keqpërdorur rrymën, kjo ndodhë në vazhdimësi. Të gjitha rastet shkojnë në gjykatë”, ka thënë Buzhala. Ndërsa "Termokosi” premton dimër të "nxehtë”.

Zëdhënësja e kësaj ndërmarrje, Afërdita Uka Fejzullahu ka thënë se që nga përfundimi i sezonit të kaluar e deri më tani të gjitha përgatitjet kanë qenë në funksion të përmirësimit të cilësisë së ngrohjes për këtë sezon.

"Tanimë ky angazhim ka dhënë rezultatet e para, të cilat janë vërejtur në cilësinë e ngrohjes dukshëm më të mirë se ajo e sezonit të kaluar. Andaj, bazuar në këtë fillim të mbarë dhe përgatitjet, që janë bërë deri më tani, jemi optimist se furnizimi me ngrohje këtë sezon do të jetë stabil”, ka thënë Uka Fejzullahu.

Aktualisht sipas saj furnizimi me ngrohje është duke funksionuar disa orë paradite dhe disa në mbrëmje. "Nga mesdita deri në orët e para të mbrëmjes aplikohet një reduktim i shkurtër i ngrohjes me qëllim të kursimit të rezervave të mazutit. Aktualisht nuk kemi ndonjë orar strikt të furnizimit me ngrohje, për shkak se furnizimi me ngrohje bëhet varësisht nga lëvizja e temperaturave, do të thotë në ditët kur ka temperatura më të ulëta orari i furnizimit me ngrohje është më i gjatë”, ka thënë ajo.

Mirëpo sipas saj kostoja e lartë e prodhimit të energjisë ngrohëse mund të paraqet vështirësi. "Edhe këtë sezon ngrohës llogaritet se vështirësi do të paraqesë çmimi i lartë i mazutit, përkatësisht kostoja e lartë e prodhimit të energjisë ngrohëse, e cila mund të paraqesë problem në sigurimin e sasive të nevojshme të mazutit për prodhimin e energjisë ngrohëse”, ka thënë Uka Fejzullahu.

Ndërsa sipas saj furnizimi me ngrohje, përkatësisht kohëzgjatja e sezonit ngrohës varet edhe nga kontributi që do të japin konsumatorët duke shlyer të gjitha borxhet që kanë ndaj "Termokosit”.

"Termokosi ka një kontratë për furnizim me mazut në këtë sezon ngrohës, të cilin muaj më parë e ka fituar operatori ekonomik "Exfis”. Porositë për furnizim me mazut bëhen varësisht nga nevojat për prodhimin e energjisë ngrohëse dhe varësisht nga mjetet financiare, që kemi në dispozicion. Mirëpo edhe kryerja e obligimeve të konsumatorëve ndaj nesh do të ndihmojë në furnizim të rregullt”, ka përfunduar ajo.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus