Kryesore » 2011 » Maj » 17 » Dialogu, “top sekret” edhe për presidenten
1:31 PM
Dialogu, “top sekret” edhe për presidenten
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mund të jetë kreu i shtetit në Republikën e Kosovës, por informatat dhe dokumentet për dialogun me Serbinë nuk mund t’i shohë.

Burime të "Kohës Ditore” kanë bërë të ditur se Presidenca e Kosovës ka kërkuar qasje në dokumentacionin që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi, të nisur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por kryesuesja e ekipit Kosovës për dialog, zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, nuk ia ka prezantuar për informim presidencës as strategjinë kosovare të dialogut, as dokumentet e tjera mbi të cilat po zhvillohet ky proces.

Burime të gazetës thonë se, përveç negociatores Tahiri, nga zyrtarët kosovarë qasje në dokumentacion ka edhe shefi i saj, kryeministri Hashim Thaçi, ndërsa arsyetimi që përdoret për mohimin e qasjes është se bëhet fjalë për "sekrete shtetërore”.

Të përjashtuar nga rrethi i të informuarve për dialogun duket të jetë edhe Ministria e Jashtme e Kosovës, bashkë me përfaqësitë diplomatike të vendit nëpër botë.

Sipas burimeve, kreu i diplomacisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, edhe pse nuk ka qasje në dokumentet e dialogut, thuhet se informohet për procesin përmes kryeministrisë, e cila në ekipin për dialog ka të deleguar këshilltarin e kryeministrit Thaçi, Lirim Grejçevci.

Ambasadat e Kosovës, në anën tjetër, në mungesë të informatave nga Qeveria, shfrytëzojnë kanale të ndërlikuara për t’u informuar rreth procesit të dialogut – prej homologëve nga vendet e BE-së, të cilët kanë qasje në dokumentet dhe informacionet.

Gazeta ka arritur që të kontaktonte me disa ambasadorë të Kosovës nëpër vende të ndryshme. Në kushte anonimiteti ata kanë shpjeguar se asnjëherë nuk kanë marrë nga Prishtina as edhe një informacion se çfarë po ndodh me dialogun.

Burime të gazetës në Bruksel kanë shpjeguar se lehtësuesi i dialogut, Robert Cooper, e ka një sistem të veçantë të informimit të të gjitha 27 shteteve anëtare të BE-së. Ai u raporton të gjitha shteteve pas çdo takimi. E shtetet e BE-së, secila pastaj lëshon të njëjtin raport për rrjetin e vet diplomatik anembanë botës.

Edhe Ministria e Jashtme e Serbisë i njofton ambasadat e veta pas çdo takimi që mbahet për dialogun.

Gazeta ka provuar që për këtë çështje të bisedonte me Presidencën, Ministrinë e Jashtme dhe zëvendëskryeministren Edita Tahiri, por ka qenë e pamundur. Zyrtarët e Presidencës nuk i kanë hapur telefonat, e zyrtarët e Ministrisë së Jashtme dhe ata të Zyrës së zëvendëskryeministres kanë sugjeruar që për këtë çështje gazeta t`i kontaktojë drejtpërdrejt eprorët e tyre.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, nuk u janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus