Simboli i rezistencës shqiptare, Adem Demaçi, ka thënë se Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj nuk duhet të humbin kohë për të hyrë në një bashkëqeverisje. Në një intervistë për "Epokën e Re” Demaçi ka thënë se duhet sa më shpejt të finalizohet koalicioni PDK - AAK. Demaçi ka vlerësuar se koalicioni PDK - AAK është në funksion të interesit të kombit në përgjithësi dhe të shtetit të Kosovës në veçanti. Në këtë kontekst, Demaçi i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje!-s të heqë dorë nga ekstremet dhe t’i bashkohet këtij koalicioni. "Pres që krejt krahu i luftës të hyjë në një koalicion të përbashkët dhe nuk e di se çfarë po presin. Unë i kisha propozuar edhe Lëvizjes Vetëvendosje! të heqë dorë nga ekstremet e ta gjejë mënyrën e të bashkohet në këtë koalicion. Është interesi i kombit të jemi sa më të bashkuar dhe sa më të fortë. Pra, të veprojmë me një zë, të rrahim me një pikë dhe të shkojmë drejt integrimit. Koalicionin e shoh në funksion të interesit të kombit në përgjithësi dhe të shtetit të Kosovës në veçanti”, ka thënë Demaçi.
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, iniciativën e kryeministrit shqiptar Sali Berisha, për shtetësi shqiptare për të gjithë shqiptarët, e ka vlerësuar si vendim të shkëlqyer, të cilit ia ka dhënë notën dhjetëshe sepse, sipas tij, kjo iniciativë do ta faktorizojë kombin shqiptar.
Demaçi ka folur edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se pala kosovare duhet ta kushtëzojë vazhdimin e këtij dialogu me zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus