Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur gjatë këtij viti është ballafaquar me mjaft sfida, sepse puna për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur tashmë është në fazën kur gjurmohen rastet më të vështira, për të cilat mungojnë informacionet. Kështu u vlerësua në mbledhjen e këtij komisioni, për të cilën u tha se është e fundit e këtij viti.Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, tha se me gjithë rezultatet e arritura në punën e këtij komisioni, ka mbetur ende shumë për t’u bërë.Familjarët heqin fotografitë e personave të pagjetur nga rrethoja e Kuvendit të Kosovës, gusht 2012 "Nuk mund të themi se jemi të kënaqur derisa vazhdon edhe më tutje ky proces, ku janë të evidencuar edhe 1762 persona të pagjetur. Mirëpo, numri 35 i të identifikuarve (gjatë këtij viti), nuk është numër i vogël. Por, gjetje ka pasur shumë pak. Në mbi 41 operacione të gërmimit, vlerësohet se kemi vetëm 20 gjetje të mbetjeve mortore dhe në dy raste kemi gjetje fragmentare”, tha Gjetaj.
Suzana Novobërdali, kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, theksoi se Ligji për personat e zhdukur ka hyrë në fuqi gjatë mandatit aktual dhe Komisioni, pas gjashtë muajve, ka të drejtën për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji.
Sipas saj, çështja e personave të pagjetur ende është një sfidë, për shkak të numrit të madh të tyre, ndonëse sipas saj, gjatë 13 vjetëve është punuar mjaft për zbardhjen e fatit të tyre.
"Mund të them se është punuar në këtë drejtim mjaft, sepse nga 6 mijë e 20 persona të zhdukur fillimisht, 4 mijë persona të zhdukur janë gjetur. Gjithashtu, e kam obligim dhe borxh t’ju njoftoj se në dy udhëtime, të cilat kam qenë në Bruksel - të organizuara nga Komisioni evropian- me zyrtarët e lartë të Brukselit kam folur për këtë temë të mjaft të ndjeshme dhe kam kërkuar ndihmë, sepse kësaj teme të bisedimeve pritet t’i jepet rëndësi më e madhe. Natyrisht, sepse është një temë, e cila e ngarkon shoqërinë kosovare, në përgjithësi”, theksoi Novobërdali.
Por, Bajram Çerkini, përfaqësues i Asociacionit të Familjarëve të personave të Pagjetur në Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur, u shpreh i pakënaqur me rezultatet e këtij komisioni, por edhe institucioneve tjera relevante vendore dhe ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
"Ne, komisioni, ose unë vetë si anëtar i komisionit, e kritikoj veten, sepse kemi punuar shumë pak... Vetëm aty ku s’kemi pasur rrugëdalje, ku na kanë thirrur, ku na kanë përkrahur dhe ku kemi mundur të depërtojmë. Por, jo edhe aty ku nuk kemi mundur dhe ku është dashur të depërtojmë”.
"Komisioni qeveritar nuk ka mundur të depërtojë që t’i dërgojë fjalët e familjarëve aty ku duhet. Nuk po mundemi... Nuk po na lejojnë. Kur e them këtë, unë kam argumente. Në Mitrovicë, thuhet se ‘është gjendja politike’ dhe ne nuk mund të gërmojmë dhe të hulumtojmë atje”, u shpreh Çerkini.
Prenk Gjetaj vlerësoi se çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur varet shumë nga presioni ndërkombëtar mbi Beogradin zyrtar, që ky i fundit të tregojë më shumë vullnet lidhur me këtë çështje, për shkak se, sipas tij, zyrtarët e Beogradit kanë informacione lidhur me fatin e këtyre personave.
Ai tha se shembull për këtë është edhe rasti i varrezës masive të dyshuar në Rashkë.
"Kjo çështje varet shumë edhe nga bisedimet që po zhvillohen me palën serbe, sepse jemi të bindur se aty (në Rashkë) gjendet një varrezë masive. Mirëpo, ajo mund të verifikohet vetëm atëherë kur pala serbe është e disponuar ose kushtimisht e them, kur ka interes për hapjen ose përcaktimin e asaj varreze, të cilën edhe vetë e kanë pranuar”, shtoi Gjetaj.
Ndryshe, çështja e të pagjeturve, së fundmi është përmendur edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, si temë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në vitin 2004, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ishte themeluar Grupi Punues për Personat e Pagjetur, i cili përbëhej nga delegacioni i Prishtinës dhe ai i Beogradit.
Ky Komitet e kishte quajtur çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, si çështje humanitare, në të cilën të dyja palët duhet të tregojnë vullnet të mirë.
Kohë më parë, Gjetaj kishte theksuar se çështja e të pagjeturve ka natyrë humanitare, por në raport me Serbinë, gjithçka merr konotacionin politik.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus