Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian ua kanë bërë me dije edhe një herë institucioneve të Kosovës, se pa punë nuk ka integrim në BE. Sipas tyre, kritikat që i kanë bërë drejtuesit e institucioneve të Kosovës në adresë të Brukselit zyrtar për mosnisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit janë të paqëndrueshme. Për përgjigjen negative që Kosova mori të martën, kryeministri Hashim Thaçi kritikoi BE-në, për të cilën tha se defekti i vonesës evropiane të Kosovës qëndron në Bruksel, nga mosuniteti i shteteve anëtare për statusin politik dhe jo në Prishtinë.Duke mos dashur të komentojnë drejtpërdrejt akuzat e kryeministrit, zyrtarë të BE-së thonë se e vetmja arsye pse Kosova mori përgjigje negative, është sepse ajo nuk ka plotësuar të gjitha parakushtet afatshkurtra që janë kërkuar nga ajo, të cilat kanë të bëjnë me reforma sidomos në administratën publike dhe në çështjet që kanë të bëjnë me konsolidimin e sundimit të ligjit.Nisja e negociatave për MSA, i konsideruar si hapi i parë që Kosovës i hapen dyert për rrugën drejt BE-së, sipas zyrtarëve në Bruksel, mund të ndodh në pranverë të vitit 2013, kur paraprakisht do të bëhet vlerësimi nëse Prishtina zyrtare ka përmbushur kriteret.
"Këshilli i Ministrave në Bruksel, do të vlerësojë progresin e Kosovës në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, në bazë të raportit që do të përgatitet nga Komisioni Evropian. Nëse vlerësimi do të jetë pozitiv, atëherë Këshilli do të japë dritën jeshile për negociatat për MSA-në”, tha për ‘Zëri’, Maja Kocijancic, zëdhënëse e Ashton.
Siç njofton ajo, e gjithë kjo është planifikuar të ndodhë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, pra më së voni në qershor.
"Deri atëherë, ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë përpjekjet e tyre që të plotësojnë të gjitha kriteret e paraqitura në konkluzionet e Këshillit, në mënyrë që të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave”, u shpreh Kocijancic.
Analistët dhe përfaqësuesit e partive opozitare thonë se kritikat e kryeministrit Thaçi në adresë të Brukselit janë të paqëndrueshme. "Për dështimet tona, vetëm veten mund të fajësojmë, askënd tjetër”, tha për ‘Zëri’, analisti politik, Adrian Arifaj.
Ai tha se BE i ka dhënë Kosovës kushte shumë të lehta dhe Qeveria duhet t’i plotësojë ato."Janë këto kërkesa që ne është dashtë t’i plotësojmë vetë, edhe pa na kërkuar BE, sepse janë për të mirë të vendit, për një jetë më të mirë të qytetarëve”, tha Arifaj.
Ai shtoi se puna më e vështirë për institucionet e Kosovës do të fillojë pasi që të nënshkruhet marrëveshja për MSA-në, dhe jo tani, kur para vetes ka kushte shumë të lehta.
Lutfi Haziri nga LDK, është shprehur skeptik, se kjo Qeveri do t’i plotësojë kriteret e kërkuara nga BE deri në pranverën e vitit 2013."Sidomos reformat në administratën publike dhe sundimi i ligjit do të mbeten probleme për më shumë kohë”, thotë ai.
Ndërsa, Donika Kadaj- Bujupi, kërkon nga kjo Qeveri që të jetë më e angazhuar në plotësimin e kritereve.
Vlora Çitaku, ministër e Integrimeve Evropiane, thotë për "Zëri”, se tashmë ekzekutivi ka kryer shumicën e prioriteteve afatshkurtra.
"Tashmë shumica e ligjeve kanë kaluar në kuvend dhe presin miratimin e tyre, ndërkohë që jemi edhe afër përfundimit të strategjisë anti- korrupsion”, tha Çitaku, e cila shprehet e sigurt që në pranverë Kosova do të marrë dritën jeshile nga BE, për nisjen e negociatave për MSA.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus