Kryesore » 2011»Dhjetor»19 » Blen veturë me mjete nga buxheti i paraparë për turizmin kulturor
11:38 PM
Blen veturë me mjete nga buxheti i paraparë për turizmin kulturor
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kohë më parë ka blerë një veturë në vlerë prej 47 mijë euro, të cilat janë marrë nga kodi buxhetor për "turizëm kulturor”. Blerja e kësaj veture për nevojat e ministrit Memli Krasniqi është konfirmuar edhe nga vetë këshilltari i lartë i ministrit, Shasivar Haxhiaj, i cili thotë se paratë për blerjen e veturës janë marrë nga projekti që kishte paraparë ministria në mandatin e kaluar, por për të cilin nuk kishte projekte konkrete. Ndërkaq, opozita e konsideron vendimin për blerjen e veturës si tejkalim i kompetencave dhe përgjegjësive profesionale, institucionale e morale.Këshilltari i lartë i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shasivar Haxhiaj, ka thënë për Kosovapress se blerja e veturës prej 47 mijë eurosh është bërë për shkak "të nevojave të domosdoshme” të ministrit Krasniqi"Para disa kohe ne në ministri e kemi hapur një ofertë me të cilën e kemi publikuar një tender për blerjen e një veture për nevojat e ministrisë, apo për ma saktë, për nevojat e ministrit. Arsyeja pse e kemi bërë këtë është e thjeshtë. Në Ministrinë e Kulturës prej vitit 2003 nuk është blerë asnjë veturë dhe veturat që posedojmë janë prej veturave më të shkatërruara ndoshta në të gjitha institucionet e Qeverisë së Kosovës. Arsye tjetër është që gjatë udhëtimeve që i ka pas ministri nëpër Kosovë, nëpër të gjitha qytetet dhe vizitat zyrtare, mbi tri- katër herë ministri ka ndodhur të ketë mbetur në rrugë. Ka pasur raste kur ka mbetur edhe pa marrë pjesë në vizitat të nivelit të lartë dhe vizita zyrtare”, ka thënë Haxhiaj. Por, Vehbi Miftari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo e cila vazhdimisht e ka kritikuar Ministrinë e Kulturës për keq menaxhim të buxhetit, thotë se paratë për blerjen e veturës për ministrin Krasniqi janë marrë nga buxheti i projekteve të parapara për realizim. "Ne nuk kemi asnjë kundërshti që institucionet të krijojnë kushte optimale për institucionet dhe përfaqësuesit, ministri në këtë rast të ketë kushte optimale për punë, por kjo duhet të bëhet si pjesë e planifikimeve buxhetore në nivel të qeverisë. Kjo duhet të bëhet pjesë e planifikimeve të mirëfillta dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ndodhë duke zhvatë buxhetin nga institucionet kulturore ose nga projektet kulturore”, ka thënë Miftari.
Edhe këshilltari i ministrit Krasniqi, Shasivar Haxhiaj e pranon se blerja e veturave duhet të planifikohet qysh në buxhetin e vitit, dhe se nuk kanë pasur ndërmend të blejnë vetura për ministrinë. Sipas tij, vetura është blerë me paratë e projekteve që i ka paraparë ministri i Kulturës në mandatin e kaluar që vjen pikërisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, projekte të cilat ishin futur si kode buxhetore, ndërsa nuk ka pasur asnjë projekt konkret që është dashur të mbështetet me ato mjete.
"Një prej atyre projekteve që nuk kanë qenë të hartuara, por kanë qenë vetëm në kod buxhetor të futura si projekt, është edhe kjo për të cilin janë shfrytëzuar mjetet për blerjen e veturës për ministrinë”, ka thënë Haxhiaj.
Ndërkaq, Vehbi Miftari , shkon edhe më tej, duke e quajtur vendimin për blerjen e veturës si tejkalim të kompetencave të ministrit.
"Nëse një ministër ia lejon vetes komoditetin që të marrë buxhetin nga projektin që lidhen, ta zëmë me turizmin kulturor sikur ka ndodh, mendoj se kjo është tejkalim i përgjegjësive profesionale, institucionale edhe morale të një udhëheqësi të një institucioni”, ka thënë ai.
Këshilltari i lartë i ministrit i përgjigjet Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se Ministria e Kulturës ende po ballafaqohet me probleme që janë trashëguar nga mandati i kaluar.
"Një prej arsyeve kryesore pse ne në këtë vit kemi pas shumë probleme për të shpenzuar buxhetin në investime kapitale, janë pikërisht pasojat që ne po i vuajmë nga mosfunksionimi i kësaj ministrie nga mandati i kaluar edhe mos qartësimi dhe mos përgatitja e projekteve që ata i kanë fut në kod buxhetor”, ka thënë ai.
Ndryshe, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Republikës së Kosovës (MKRS) kohëve të fundit e ka blerë një veturë në vlerë prej 47 mijë eurosh, duke i marrë paratë nga buxheti i ndarë për turizmin kulturor.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus