Kryesore » 2011 » Qershor » 27 » Beteja lobuese e Prishtinës dhe Beogradit ka kapur shifrat milionëshe
2:33 PM
Beteja lobuese e Prishtinës dhe Beogradit ka kapur shifrat milionëshe
Beteja diplomatike ndërmjet Prishtinës e Beogradit, për dhe kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, e nisur para më shumë se tre vjetësh ka gllabëruar shuma të mëdha eurosh, ndërkohë që efekti real i këtyre shpenzimeve, sipas akterëve të procesit, nuk mund të matet konkretisht. Krahas angazhimeve të të gjithë mekanizmave shtetërorë për lobim, shefat e diplomacive të dyja vendeve kanë ndërmarrë edhe udhëtime të shumta, nëpër vende të ndryshme, me qëllim të prezantimit të rrëfimeve të tyre për Kosovën, duke harxhuar kështu mjete të konsiderueshme nga buxhetet përkatëse, derisa rezultatet e këtyre angazhimeve nuk duken në sipërfaqe. 
Bazuar në shifrat e bëra publike, gjatë tre vjetëve të kaluar, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, për udhëtime zyrtare ka shpenzuar afër katër herë më shumë mjete se homologët e tij të kontestuar nga Prishtina, ish-ministri Skender Hyseni dhe ministri aktual i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, shkruan "Koha Ditore”. Si indeks matës për lobim janë marrë në konsideratë shpenzimet e udhëtimit, të akomodimit dhe mëditjet, që në rastin e ministrit serb kanë arritur në shifrën prej dy milionë eurosh, derisa krerët e diplomacisë kosovare kanë harxhuar afër gjysmë milionë euro. Kosova është shteti më i varfër në Evropë, derisa ekonomia e Serbisë është shembur nga vitet e gjata të konflikteve dhe së fundi nga efektet e krizës globale financiare.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Artan Behrami, ka sqaruar se ky dikaster qeveritar nuk ka linjë të veçantë buxhetore për lobim, dhe se të gjitha aktivitetet diplomatike të ministrit dhe zyrtarëve të MPJ-së mbulohen nga buxheti i përgjithshëm i kësaj ministrie, që hyn në kuadër të mallrave dhe shërbimeve.

Megjithëkëtë, ai ka bërë të ditur se nga viti 2009 e deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, për udhëtime, mëditje e akomodim të ministrit të Jashtëm janë shpenzuar afër 470 mijë euro.

"Në vitin 2009 vlera e mjeteve të shpenzuara për udhëtime zyrtare ka qenë 155 mijë e 282 euro, në vitin 2010 ka qenë 268 mijë e 878 euro, derisa në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011 për udhëtime zyrtare janë shpenzuar afër 40 mijë euro”, ka thënë Behrami.

Në anën tjetër, drejtuesit e Qendrës për Politika në Beograd kanë ndërmarrë nismën për publikimin online të të gjitha shpenzimeve të institucioneve të Serbisë në raport me Kosovën, ku figurojnë edhe raportet zyrtare financiare të MPJ-së serbe, përkatësisht të gjitha shpenzimet e udhëtimit, të akomodimit e mëditjet e ministrit Jeremiq.

"Nëse e bëjmë llogaritjen në euro, atëherë shuma e përafërt e këtyre shpenzimeve është rreth dy milionë euro, marrë parasysh edhe faktin se kursi i dinarit ka ndryshuar përgjatë vitesh”, ka thënë drejtori i Qendrës për Politika, Dragan Popoviq.

Sipas tij, edhe pse në ueb faqen e kësaj organizate figurojnë shpenzimet e të gjitha udhëtimeve zyrtare të ministrit Jeremiq, ato trajtohen si harxhime për lobim.

"Fakti është se pjesa më e madhe e këtyre mjeteve janë shpenzuar në udhëtimet që lidhen me Kosovën, prandaj dhe mund të trajtohen si mjete të shpenzuara për lobimin kundër pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Popoviq.

Beteja diplomatike ndërmjet Prishtinës e Beogradit është intensifikuar pas 17 shkurtit të vitit 2008, datë kjo në të cilin Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, që ende mbikëqyret nga komuniteti ndërkombëtar. Deri më tani Kosova është njohur nga 76 vende anëtare të OKB-së. Vala më e madhe e njohjeve ka ardhur në vitin e shpalljes së pavarësisë, me 53 njohje, që është pasuar me 11 njohje në vitin 2009, tetë në vitin 2010 dhe 4 në gjashtë muajt e parë të këtij viti (më gjerësisht sot në "kohën Ditore”)
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus