Kryesore » 2012 » Dhjetor » 5 » Arrihet marrëveshja për vendkalimet kufitare
2:23 PM
Arrihet marrëveshja për vendkalimet kufitare
Zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të pikëkalimeve kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë fillon më 10 dhjetor. Dy palët kanë rënë dakord edhe për emërimin e zyrtarëve të parë ndërlidhës. Raundi i tretë i bisedimeve mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq përfundoi me marrëveshjen për ngritjen e pikave të përbashkëta të menaxhimit në katër vendkalimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Fillimisht më 10 dhjetor do të fillojë zbatimi imarrëveshjes në dy vendkalime, ndërsa në dy të tjera deri në fund të këtij viti. Duke nënvizuar se Serbia është e detyruar të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria e mëparshme dhe se pikërsht kjo për menaxhimin e integruar të vendkalimeve kufitare është më e vështira për shtetin dhe kombin serb, kryeministri Daçiq theksoi në Bruksel se është punuar për të nxjerrë "sa më shumë që ishte e mundur" nga protokoli i cili sipas tij, nuk është arritur në interes të popullit serb:"Ne do të fillojmë me zbatimin e kësaj marrëveshjeje në katër vendkalime, dy në veri dhe dy në pjesën tjetër të vijës administrative. Nuk do të ketë asnjë ndryshim të regjimit në krahasim me ditët e sotme. Nuk do paguhet dogana për mallërat që do të shkojnë në veri dhe qytetarët e veriut nuk do të kenë probleme me dokumentet personale dhe targat e makinave. Në rast se do të kemi një sjellje tjetër në vendkalime, atëherë Serbia do të pezullojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje", ka thënë Daçiq. Ai ka shtuar se çështjet e doganës dhe dokumenteve për serbët e veriut do të jenë objekt i bisedimeve të mëtejshme në janar 2013, bisedime në të cilat do të përfshihen edhe serbët nga veriu.

Për çfarë tjetër është diskutuar në Bruksel

Mbrëmë (4.12.) kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi konfirmoi formimin e një njësie të posaçme brenda policisë së Kosovës që do të merret me mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe fetare serbe. Nga ana tjetër, Serbia ka shprehur gatishmërinë e saj për një financim transparent të serbëve në veri të Kosovës edhe pse ka theksuar se "kjo nuk është diçka sekrete sepse buxheti është dokumenti publik." Dy palët kanë rënë dakord edhe për emërimin e zyrtarëve të parë ndërlidhës të cilët do të operojnë në zyrat e BE'së në Prishtinë dhe Beograd. Fillimisht ishte përmendur opsioni i hapjes së Zyrave Ndërlidhëse në të dy shtetet, porse me këtë nuk është pajtuar Serbia.

Mesazh për serbët e veriutIvica Daçiq tha në Bruksel se Serbia me pjesëmarrëjen e saj aktive në dialog është duke mbrojtur interesat kombëtare dhe shtetërore ndërsa serbët në veri të Kosovës i ka porositur: "Kini besim në shtetin tuaj dhe në ata të cilët flasin në emër të Serbisë. Ne nuk po negociojmë për asgjë të re. Këtu kemi ardhur të vendosim për diçka për të cilën kishin rënë dakord të tjerët para nesh. Nëse ju nuk dëshironi ta zbatojmë atë atëherë mund të themi qartë se Serbia nuk ka se si të jetë më larg marrjes së statusit për kandidat për anëtarësim në BE."

Nga kabineti i baroneshës Catherine Ashton njoftohet se "takimi i rradhës pritet të mbahet më 17 janar të vitit 2013”.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus