Rreth 1000 euro eksportuesit nga Kosova janë obliguar që të paguajnë në kufirin e Serbisë për t’iu lejuar të hyjnë me mall që ka pasur destinacion Kroacinë. Ndërkohë që zyrtarët e qeverisë nuk i bëjnë me dije këto pengesa që kanë prodhuesit vendorë edhe pas prishjes së masave të reciprocitetit."Ask Food”, është kompania e cila tani e 5 muaj është në treg me produktet e saj, ku tani ka filluar edhe eksportin jashtë shtetit, ku gjatë kësaj jave ishte edhe eksporti i parë për këtë kompani. Një vit më parë filluan investimet në kompaninë e përpunimit të frutave dhe perimeve në Gjilan.Mirëpo, shkelja e marrëveshjes së arritur në Bruksel nga Serbia, për të eksportuar këtë kamion që si destinacion kishte Kroacinë, i kushtoi kompanisë "Ask Food” hiç më pak se 900 euro. "Pasi produktet tona do të kalonin transit nëpër Serbi, ne është dashur të paguajmë një kamion me dokumentacion të Serbisë e po ashtu edhe shoferin, ku transporti kushtoi 900 euro, ngase nuk njihen dokumentet tona”, ka thënë Erton Namoni, pronar i kompanisë "Ask Food”. Sipas tij, edhe për kundër faktit se tani investimet kanë kaluar mbi 3 milionë euro në këtë kompani, ende nuk ndihen të barabartë me kompani të tjera të vendeve fqinje për faktin se po përballen me këto vështirësi për të eksportuar në Serbi ose transit.Ai ka thënë se problem tjetër mbetet edhe preferencat tregtare, ku sipas tij, këta nuk po mund të eksportojnë në bazë të kërkesave.
"Tani pritet deri në janar të këtij viti të eksportohen edhe rreth 30 kamionë për Gjermani me produktet tona, e po ashtu kam edhe kërkesa për të eksportuar edhe në Serbi, por ende nuk kam arritur marrëveshje”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo kompani do të marrë pjesë në panairin gjerman "ANUGA” i cili është panair i ushqimit, ku do ta kenë mundësinë të prezantojnë produktet e tyre dhe se kjo është e vetmja kompani nga Kosova që merr pjesë në këtë panair.
Ndërkaq, ai tregon se kompania e tij, tani me mbi 80 lloje të produkteve të përpunimit të pemëve dhe perimeve tani gjendet në mbi 400 markete në tregun kosovar.
Po ashtu ai ka thënë se "Ask Food”, tani mban rreth 150 punëtorë, kurse është i kontraktuar me mbi 2000 familje që të sjellin produktet e tyre për t’i përpunuar në këtë kompani.
"Ne kemi të kontraktuara mbi 2000 familje që të sjellin çdo produkt të tyre në kompaninë tonë, aq sa kanë mundësi të prodhojnë. Kjo do të thotë se asgjë nuk do t’u mbetet bujqve, ngase ne i marrim produktet e tyre dhe i përpunojmë”, thekson ai.
Sipas tij, kualiteti i produkteve të tyre nuk gjen konkurrencë me ato serbe, por ai tregon se konkurrencë me produkte të ngjashme kanë me Maqedoninë.
Namoni thekson se konsumatorët vendorë duhet të vetëdijesohen që t’u shmangen produkteve të importuara. "Masa e reciprocitetit në një formë apo tjetër ka ndikuar në vetëdijesim të konsumatorëve, ngase ata kanë provuar produktet vendore dhe janë bindur me kualitetin e produkteve vendore. Ata duhet të mbajnë një lloj nacionalizmi ekonomik që të na japin edhe neve mundësi t’u ofrojmë kualitet në produkte”, ka shtuar ai.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus