Kryesore » 2012 » Gusht » 21 » Spektakli AAK
12:29 PM
Spektakli AAK
AAK’ja vazhdon ta mbajë gjallë debatin për përfshirjen në Qeveri, megjithëse, deri më tash, nuk ka ndodhur asnjë takim mes përfaqësuesve të saj dhe PDK’së. Burime të Expressit, të afërta me Kryeministrin, thonë se Hashim Thaçi mirëpret inkuadrimin e LDK’së dhe të AAK’së në bisedime, por nuk është i interesuar ta ndajë pushtetin me to.
Zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë përkujdesur edhe të hënën që ta mbajnë gjallë debatin rreth përfshirjes së tyre të mundshme në Qeverinë e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Burim Ramadani, përmes një komunikimi në rrjetet sociale, ka tentuar t’i zhvlerësojë krejt deklaratat e mëhershëm të zyrtarëve më të lartë se ai në AAK. 
Sipas tij, qëndrimi i partisë që përfaqëson është ndërrimi i Qeverisë.

"Mendoj se duhet sa më shpejt të ndërrohet kjo Qeveri aktuale. AAK’ja pa asnjë luhatje kërkon ndërrimin e Qeverisë. Dhe, për dallim nga të tjerët, AAK’ja ka ofertën më të mirë për qytetarët e Kosovës: një qeverisje Haradinaj që garanton luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, garanton zhvillim ekonomik dhe vendosjen e sundimit të ligjit dhe kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Ramadani.

Të paktën dy zyrtarë të AAK’së deri më tash, Blerim Shala dhe Ardian Gjini, kanë lënë të hapur mundësinë që kjo parti të hyjë në Qeveri me PDK’në e Hashim Thaçit. Njëherësh, që të dy, kanë thënë se nuk do t’i ikin përgjegjësisë së tyre kombëtare në rast se kërkohet përfshirja e AAK’së në bisedimet me Serbinë.

Krejt këto deklarata vijnë në kohën kur deri më tash asnjë takim formal apo joformal nuk ka ndodhur mes krerëve të dy subjekteve, PDK’së dhe AAK’së.

Burime të Expressit, të afërta me Kryeministrin Hashim Thaçi, kanë thënë se debati po mbahet gjallë nga zyrtarët e AAK’së, ndërkohë që në PDK nuk ekziston kurrfarë disponimi për përfshirjen e partisë së Ramush Haradinajt në Qeveri.

"Neve na intereson që LDK’ja dhe AAK’ja të bëhen pjesë e bisedimeve që pritet të nisin mes Prishtinës dhe Beogradit. Këtu ne ua kemi çelur atyre një derë. Por kjo nuk do të thotë se neve na intereson që ato të bëhen pjesë e Qeverisë”, ka thënë zyrtari i lartë qeveritar, që foli në kushte anonimiteti për Express.

E për përfshirjen e opozitës në bisedime, sipas tij, barra bie mbi lehtësuesit e dialogut, Brukselit dhe Washingtonit.

"Si Brukseli, ashtu edhe Washingtoni janë të interesuar që pjesë e delegacionit kosovar të bëhen edhe dy partitë opozitare, LDK dhe AAK. Sa na përket neve, jemi pro përfshirjes së opozitës, por ne nuk negociojmë me ta për përfshirjen e mundshme. Maksimumi që mund të bëjmë, është ftesa publike për ta”, ka thënë ky zyrtar i afërt me Hashim Thaçin.

Ky qëndrim duket se i mundëson Hashim Thaçit që t’i përdorë partitë opozitare në procesin e bisedimeve me Serbinë, pa i bërë ato pjesë të pushtetit ekzekutiv.

Sido që të jetë, zyrtari i lartë qeveritar që foli për Express, thotë se krejt kjo situatë ka mundësi të sqarohet në gjysmën e dytë të shtatorit.

"Ne, ashtu sikurse edhe Serbia, jemi shprehur të gatshëm për dialog. Tash i takon lehtësuesit, në këtë rast BE’së dhe SHBA’së, që të nisin dialogun”, ka thënë ai.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus