Kryesore » 2012 » Dhjetor » 15 » RTK me dy milionë euro borxhe
2:15 PM
RTK me dy milionë euro borxhe
Parregullsitë e konstatuara në raportimin e financave nga menaxhmenti i RTK-së, bënë që në Kuvendin e Kosovës të mos miratohen dy raporte pune të vitit 2010 dhe vitit 2011. Bëhet fjalë për Raportin e financave dhe Raportin e punës për vitin e kaluar. Ndonëse këto dy raporte do të ishte dashur të miratohen në tremujorin e parë, ato nuk po arrijnë të miratohen as në fund të këtij viti. Raporti i financiar i RTK-së është mbajtur peng nga vërejtjet e Komisionit të Buxhetit dhe Financave dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kurse Raporti i punës, që është trajtuar nga Komisioni i Mediave, është mbështetur dhe rekomanduar për miratim.
Kryetari i Komisionit të Mediave, Idriz Vehapi, i ka deklaruar gazetës "Kosova Sot” se sa i përket Raportit të punës në komisionin që ai e kryeson nuk ka pasur aq shumë vërejtje. Por, Komisioni i Financave Publike ka kërkuar që të dyja raportet të shkojnë së bashku për miratim, kështu që ka mbetur në pritje informata shtesë e menaxhmentit të RTK-së për financat.

"Ne nuk i shqyrtojmë raportet financiare, vetëm raportet e punës. Prandaj, me kërkesë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike rreth disa të gjeturave që ata kanë hasur në Raportin financiar, nuk është kaluar në seancë as Raporti i punës”, tha z. Vehapi.

Këtë deklarata të Vehapit e ka konfirmuar për gazetën edhe zëvendëskryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ramiz Lladrovci, nga PDK-ja. Ai tha se komisioni nuk e ka miratuar Raportin e financave dhe ende është në pritje të sqarimeve të kërkuara nga menaxhmenti i RTK-së për shumë parregullsi të konstatuara në raport.

Sali Asllanaj, nga LDK-ja, tha se në Komisionin e Buxhetit dhe Financave ka kaluar Raporti i financave, por nuk e ka marrë miratimin e Komisionit Mbikëqyrës për shkak të vërejtjeve që ata kanë pasur.

"Ata i kanë specifikuar disa çështje dhe ne si komision e kemi miratuar raportin”, tha Asllanaj. "Ka pasur shumë vërejtje, sidomos për borxhet që ka pasur RTK-ja, e shpenzimeve enorme që kanë bërë”, tha Asllanaj, sipas të cilit një pjesë e konsiderueshme e borxheve të vjetra të RTK-së vazhdojnë të barten edhe në vitin që vjen. "400 mijë euro i kanë paguar në bazë të një raporti, kurse vazhdojnë të mbeten edhe rreth dy milionë euro”, tha Asllanaj.

Duke pasur parasysh peshën që ka miratimi i raporteve të punës dhe Raportit financiar të RTK-së, gazeta ka kontaktuar edhe me drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Sylejman Shaqiri. Ky i fundit tha se më shumë ka të bëjë me disa detaje teknike të raportit që duhet të saktësohen, se sa me të gjetura substanciale të parregullsive dhe vërejtjeve të adresuara. Ai tha se është duke u punuar që çështjet e shtruara nga trupat e Kuvendit.

"Ne këto ditë do ta dërgojmë një informatë plotësuese dhe këtë besojmë që do ta bëjmë jo më larg se brenda javës së ardhshme”, tha Shaqiri.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus