Kryesore » 2012 » Korrik » 25 » Rritja e pagave për zyrtarët, vendim për interesa personale
3:42 PM
Rritja e pagave për zyrtarët, vendim për interesa personale
Projektligji për pagat e funksionarëve publikë, siç duket ka zgjuar reagimin e shtresës punëtore. Ky projektligj, që është miratuar nga ekzekutivi dhe pritet të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës, parasheh rritje pagash për zyrtarët politikë. I pari që do të përfitojë nga kjo rritje është vetë kryeministri i Kosovës, pastaj zëvendëskryeministrat, ministrat dhe shumë zyrtarë të tjerë. Ali Dragusha, përfaqësues i sindikatave të punëtorëve, këtë projektligj e konsideron të ngutshëm dhe jo në harmoni më realitetin në Kosovë. Sipas tij, rritja e pagave për klasën politike është plotësisht në kundërshtim me pagat e shtresës punëtore.

Dragusha i rekomandon qeverisë që të rishqyrtojë dhe të korrigjojë këtë dokument, në të kundërtën, thotë ai, ekzekutivi po detyron shtresën punëtore për shprehje të revoltës dhe pakënaqësisë se tyre.

Ndryshe, sipas dokumenteve zyrtare, paga mujore e kryeministrit është 1443 euro, kurse me projektligjin e ri, pagës së kryeministrit do t’i shtohen edhe 882 euro, që do të thotë se paga mujore e kryeministrit do të jetë 2325, aq sa do të jetë edhe e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit.

Në anën tjetër, pagat e zyrtarëve të lartë sillen prej rreth 1200 euro, deri rreth 2800 euro, sa është paga e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Por, kjo shumë e pagave është në dallim të madh me pagën mesatare në Kosovë, thotë Dragusha.

Në kohën kur pensionistët marrin nga 40, përkatësisht 80 euro në muaj, paga minimale është 170 euro, kurse ajo mesatare 368 euro dhe rreth 35 mijë familje jetojnë vetëm me ndihma sociale, hapin e qeverisë, Dragusha e quan të ngutshëm, regresiv dhe të paarsyeshëm. "Mendoj se propozim i tillë është shumë i paarsyeshëm dhe shumë i pamatur, mu në këtë kohë kur kemi shumë çështje të pazgjidhura, e veçanërisht ne si sindikatë e kemi problemin e marrëveshjes se përgjithshme kolektive, për të cilën qeveria nuk vërehet se është e gatshme të nënshkruajë, duke u bazuar mu në çështjen financiare dhe vërejtjet që merr nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, shprehet Dragusha.

Edhe eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, thotë se ekzekutivi po diskriminon qytetarët kosovarë. "Unë mendoj se është një rritje e pamatur dhe kryeministri nuk ka fare parasysh një balanc në mes kategorive të ndryshme edhe të zyrtarëve të rangjeve të ndryshme, por edhe aspektit social. Kryeministri vepron në bazë të interesave të momentit, nuk ka ndonjë vizion, qeveria edhe ashtu nuk ka ndonjë plan politik të zhvillimit”, deklaron Kastrati.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile, e vlerësojnë në dy aspekte projektligjin për pagat e funksionarëve të lartë.
Isuf Zejna, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se në njërën anë ligji është i nevojshëm, mirëpo në anën tjetër është në kundërshtim më standardin jetësor në Kosovë. "Është i nevojshëm, për shkak se duhet të harmonizohen pagat e zyrtarëve të lartë publikë, kemi një shpërputhje të madhe në mes përfaqësuesve të bordit, deputeteve, anëtarëve të qeverisë, dhe ligji tenton t’i harmonizojë këto paga”.

"Një numër i zyrtarëve publikë, siç duket ata të ekzekutivit, të cilët edhe kanë hartuar ligjin, kanë paraparë rritje të pagave. Mendoj se kjo është në kundërshtim me vet standardin të cilin ne e kemi në Kosovë dhe me pagën mesatare në Kosovë”, thekson Zejna.

Sidoqoftë, për projektligjin në fjalë, përmes një komunikate për media, ka reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Ky këshill ka reaguar ndaj kategorizimit të ri të pagave që rezulton, siç thuhet, në kompensim më të ulët të përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në krahasim me përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit legjislativ.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus