Kryesore » 2012 » Korrik » 25 » Ritme të shpejtuara në përmbushjen e detyrimeve për udhërrëfyesin
1:44 PM
Ritme të shpejtuara në përmbushjen e detyrimeve për udhërrëfyesin
Pushimet verore nuk kanë ngadalësuar punën në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ministria e Integrimeve Evropiane si bartëse e procesit, ka ndarë të gjitha detyrat nëpër institucionet përkatëse në mënyrë që t’i zbatojnë kërkesat e udhërrëfyesit. Komisioni Evropian pret në shtator raportin me arritjet e kësaj periudhe, ndërsa institucionet e Kosovës presin që vlerësimi të jetë pozitiv. Liberalizimi i vizave konsiderohet tema më e debatuar në procesin e integrimit Evropian të Kosovës. Përmbushja e kërkesave nga udhërrëfyes për liberalizimin e vizave, varet nga shumë instanca të nivelit qendror dhe lokal. Besnik Vasolli, koordinator teknik në Ministrinë për Integrime Evropiane për liberalizim të vizave, i deklaroi Radio Kosovës se udhërrëfyesi është përkthyer dhe është ndarë në të gjithë ministritë përkatëse."Menjëherë pas marrjes së ULV është përkthyer, është ndarë në të gjitha ministritë dhe në të njëjtën kohë është punuar dhe janë caktuar objektivat dhe detyrat konkrete për secilin institucion se çka duhet ndërmarrë në javët dhe në muajt në vazhdim. Është krijuar edhe një grup punues në të cilin marrin pjesë mbi 22 institucione përfshirë, ato vendore, shoqëria civile, komisioni evropian, EULEX, dhe ky grup punues ka filluar të funksionojë, së pari duke hartuar raportin e gatishmërisë dhe vlerësimit të përafrimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së”, tha ai.

Vasolli thotë se edhe pse është kohë e pushimeve, institucionet janë duke punuar në mënyrë intensive me qëllim të hartimit të raportit gjithëpërfshirës, i cili është kërkuar nga Zyra e komisionares evropiane për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmstrom dhe të dërgohet deri më 15 shtator.

"Nuk duket që është sezon vere, afatet i kemi shumë të ngjeshura. Për ta përgatitur këtë raport, duhet ta kuptojmë që është shumë voluminoz, janë vlerësime për secilin kriter një nga një m janë 95 kritere, janë 22 institucione që janë duke punuar me disa zyrtarë të secilit institucion. Raporti duhet t’i bashkëngjitet edhe një vlerësim i legjislacionit se sa është I përafruar me atë të BE-së. Ata janë duke punuar në vlerësimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së, Aqie comuniter, pra ne jemi duke punuar që të arrijmë ta finalizojmë raportin deri me një shtator ta përcjellim në Komisionin Evropian”, theksoi Vasolli.

Mirëpo, njohësit e integrimit evropian kritikojnë mungesën e interesimit në zbatimin e detyrave që kërkohen në udhërrëfyes.

Shenoll Muharremi ekspert i çështjeve të integrimit evropian, thotë se institucionet e Kosovës më shumë po bëjnë propagandë politike në përmbushjen e agjendës evropiane.

"Këtu kemi të bëjmë me vullnet politik , ky proces është përdorë më shumë për propagandë politike dhe ju vetë keni qenë dëshmitarë të 6 muajve të parë të këtij viti, që në vend që ne fokusin ta vejmë te zbatimi i kritereve është folur më shumë se kur do ta marrim udhërrëfyesin edhe pse ne kemi qenë në posedim të një udhërrëfyesi dhe i kemi pas disa draft versione se çfarë duhet bërë. Andaj unë mendoj se ka vullnet vetëm deklarativ dhe nuk ka vullnet politik me u fokusuar në zbatimin e këtyre kushteve”, tha Muharremi.

Përmbushja e kërkesave të udhërrëfyesit dhe vlerësimi pozitiv nga Brukseli do të pasohej nga mundësia për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm nëpër hapësirën Shengen.

Kosova është vendi i vetëm i rajonit ndaj të cilës ende zbatohet regjimi i vizave nga vendet e Shengenit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus