Kryesore » 2012 » Dhjetor » 15 » Limaj mbetet ende në paraburgim
1:50 PM
Limaj mbetet ende në paraburgim
Nuk ka përgjigje nëse Fatmir Limaj do të mbrohet në liri. Kanë mbetur edhe një javë që Limaj dhe tre bashkëluftëtarët e tij të mbushin plot një muaj në paraburgim. Megjithëse kjo u kundërshtua nga pala mbrojtëse, Limaj dhe të tjerët mbesin në paraburgim edhe pas kërkesës për ligjshmëri drejtuar Gjykatës Supreme. Kërkesa e adresuar në Supreme dy javë më parë nga Tahir Rrecaj, avokati i Fatmir Limajt, ka kontestuar vendimin e marrë nga kjo gjykatë për masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Limajt. 
Kundërshtimi i palës mbrojtëse, e cila kishte parashtruar ankesë ndaj Gjykatës së Qarkut që i ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Limajt dhe të tjerëve, vërtetuar nga Supremja, e cila mori vendimin e shkallës së parë, nuk ka marrë përgjigje.

Ndonëse pala mbrojtëse ishte shprehur optimiste se në shkallën e tretë të Supremes do të ndryshohet ky vendim, Limajt po i afrohen ditët të rrumbullakohet një muaj në paraburgim. Vendimi për paraburgim, sipas palës mbrojtëse, është marrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Kjo kishte bërë që Tahir Rrecaj, avokati i Fatmir Limajt, të kërkojë që klienti i tij të mbrohet në liri, duke e cilësuar këtë aktvendim, të marrë më 28 nëntor nga Kolegji i Gjykatës Supreme dhe Trupi Gjykues i Gjykatës së Qarkut, joligjor. Por, Rrecaj të premten ka deklaruar për "Zërin” se ende nuk ka përgjigje nga gjykata.

Ai ka theksuar se nuk kanë ndonjë informacion nëse Limaj do të mbrohet në liri. "Ende nuk kemi marrë ndonjë informatë nga gjykata, po presim përgjigje”. Rrecaj ka thënë se megjithëse gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar që të dalë me vendim, kjo çështje do duhej të trajtohej me prioritet.

"Nesër (e shtunë) një javë bëhet një muaj që ai (Limaj) është paraburgosur dhe në qoftë se nuk merret sot vendimi, nuk e di çfarë kuptimi do të kishte javën tjetër të merret”, tha Rrecaj për "Zërin”.

Kontaktuar nga gazeta, zyrtarë nga Gjykata Supreme kanë konfirmuar se kërkesa e palës mbrojtëse është proceduar, por nuk ka kthyer përgjigje rreth datës së kur do të merret vendimi. "Lënda e z. Fatmir Limaj në Gjykatën Supreme ka ardhur më 6 dhjetor nga Gjykata e Shkalles së Parë, Gjykata e Qarkut.

Nga Gjykata Supreme, sipas procedurave, kërkesa e palës mbrojtëse të Limajt është dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit më 7 dhjetor”, ka thënë Makfire Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Supreme të Kosovës. Ajo ka theksuar se pas shqyrtimit, Prokuroria e Shtetit e ka kthyer tek gjyqtarët e EULEX-it të Gjykatës Supreme të Kosovës më 11 dhjetor. "Tani lënda është në procedurë dhe shumë shpejt pritet vendimi i gjyqtarëve të EULEX-it të Gjykatës Supreme të Kosovës”, tha Gashi për "Zërin” .

Në muajin maj të këtij viti gjykata kishte hedhur si të papranueshme dëshminë kryesore të Agim Zogajt, i njohur si dëshmitar X dhe kishte shpallur të pafajshëm Limajn dhe bashkëluftëtarët e tij (Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala), duke hedhur poshtë pikat që i akuzonin për krime lufte gjatë vitit 1999 në shtabin e UÇK-së në Kleçkë, por prokurori i rastit kishte deponuar një ankesë ndaj këtij aktgjykimi, bazuar në të cilën, rasti në nëntor u kthye në rigjykim duke shpallur të pranueshme provat e dëshmitarit Zogaj.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus