Kryesore » 2012 » Qershor » 11 » Kush është Artan Hoxha, ish-ministri i qeverisë “Meksi”?
0:20 AM
Kush është Artan Hoxha, ish-ministri i qeverisë “Meksi”?
Kandidati i dytë zyrtar për President, 48-vjeçari Artan Hoxha, pritet që të hënën paradite të kalojë për votim në Kuvend. Ndryshe nga Xhezari Zaganjori atij nuk i duhen doemos 84 vota por i mjaftojnë 71 vota. Mazhoranca, duke qenë se edhe LSI është pro Artan Hoxhës, numëron momentalisht 73 vota, pra mjaftueshëm për ta zgjedhur Artan Hoxhën në këtë raund të katërt dhe të parafundit.Në këtë mënyrë, me emrin e Artan Hoxhës del jashtë loje ish-kryeministri Fatos Nano i cili ka paralajmëruar se nëse nuk kandidohet nga Edi Rama do të rihyjë në politikë duke e luftuar kreun aktual socialist.Por kush është Artan Hoxha. I lindur më 1964, ka qenë ministër rreth 20 vjet më parë në qeverinë e Aleksandër Meksit. Prej disa vitesh ai është president i Institutit për Studime Bashkëkohore. Po ashtu ai është dhe pronar i një universiteti privat (Tirana Business University).

Artan Hoxha konsiderohet si një nga ekspertët e mirënjohur të ekonomisë.

Në faqen zyrtare të universitetit të tij privat jepen këto të dhëna:

Artan Hoxha - Themelues dhe President i Bordit të Administrimit të TBU

Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik (1992-1993); Drejtor e më pas President i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) nga viti 1997 e në vazhdim; anëtar i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës (Shkurt 2008-Maj 2010); anëtar i Bordit Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Europën Juglindore (SEERC) në Selanik të Greqisë; anëtar i Bordit Këshillimor të Televizionit Ora News; anëtar i Bordit Këshillimor të Revistës Monitor; themelues, anëtar dhe Drejtor i Bordit të Drejtorëve të Qendrës së Arbitrimit dhe Ndërmjetësimit Tregtar, janë disa nga rolet e mbajtura apo në ushtrim e sipër nga z. Hoxha. Përgjatë karrierës së tij mbi 20 vjeçare, z. Hoxha ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale.Vitet e fundit, ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin.

Z. Hoxha është një nga opinionistët e njohur lidhur me çështjet ekonomike, ligjore, institucionale dhe politike me një aktivitet të spikatur mediatik në median televizive dhe shtypin e përditshëm.

Z. Hoxha, trajner i licencuar në Administrim Biznesi nga ILO Training Center në Torino të Italisë (1997), është një njohës i thelluar i çështjeve të lidhura me zhvillimin e sektorit privat. Institucione shtetërore shqiptare apo ndërkombëtare si dhe biznese shqiptare e të huaja ne Shqipëri i drejtohen për këshillim.

Z. Hoxha ka kryer studimet pasuniversitare Master në Ekonominë e Mjedisit dhe Energjisë në Shkollën Pasuniversitare Enrico Mattei të Grupit Eni, Itali (1994-1995) dhe ato universitare në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1984-1989). Ai është shpallur dy herë rresht, në vitet 1982 dhe 1983, fitues i vendit të parë në Olimpiadat Kombëtare të Matematikës”.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus