Kryesore » 2012 » Gusht » 2 » Edhe një institucion që lufton krimin dhe korrupsionin
10:45 AM
Edhe një institucion që lufton krimin dhe korrupsionin
Institucionet e drejtësisë në vend pritet që në të ardhmen të kenë edhe organe të reja të cilat, sipas zyrtarëve të lartë të shtetit, do të angazhohen për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Paralajmërimin për krijimin e një departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion në kuadër të degës së Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka dhënë të mërkurën zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në punëtorinë: "Finalizimi i projektligjeve të pakos së gjyqësorit të Republikës së Kosovës”, të organizuar nga USAID-i.
Përveç kësaj, zv. kryeministri Kuçi ka bërë me dije se në kuadër të propozim ndryshimeve të ligjeve të caktuara do të propozohet edhe krijimi i një departamenti të veçantë për çështje të investimeve të huaja po në kuadër të degës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, si dhe krijimi i një departamenti të përkohshëm për zgjidhjen e lëndëve të mbetura nëpër gjykata. Këto propozime, sipas Kuçit, do ta kenë përkrahjen e dikasterit që e drejton ai dhe se të njëjtat, sipas tij, do të procedohen së shpejti në qeveri e më pas në parlament.

"Plotësim-ndryshimet që do të bëhen me propozim të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial në projektligjet e pakos së gjyqësorit të Republikës së Kosovës do ta kenë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës dhe ato shumë shpejt do të procedohen në Qeveri dhe më pas edhe në Kuvend”, ka premtuar Kuçi. "Ndryshimet që do të bëhen do të reflektojnë në radhë të parë atë që e ka hartuar KGJK-ja dhe KPK-ja, për funksionim sa më të mirë dhe demokratik, për rritje të transparencës, si dhe reformimit të gjyqësorit dhe prokurorive”, ka shtuar Kuçi.

Merita Mustafa, menaxhere e programit antikorrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se propozimet e dhëna për krijimin e departamenteve të veçanta do të shtonin gjasat që të pakësohen lëndët nëpër gjykata.

"Krijimi i një departamenti të përkohshëm për zgjidhjen e një numri të madh të lëndëve nuk është ide për t’u hedhur poshtë. Kjo do të shkarkonte numrin e madh të lëndëve që presin për t’u zgjidhur dhe në të njëjtën kohë do t’u jepte hapësirë lëndëve të reja që të trajtohen menjëherë pa i lënë ato të grumbullohen”, ka vlerësuar Mustafa.

Sipas saj, departamenti përkatës gjithsesi se do të ishte një alternativë e mirë si e përkohshme.

"Nuk duhet harruar se për të funksionuar një gjyqësor si duhet është i nevojshëm një sistem i mirëfilltë i menaxhimit të lëndëve ku doemos duhet të përdoren programe të reja të teknologjisë informative”, është shprehur Mustafa.

Ajo ka përmendur edhe një fakt tjetër që, sipas saj, do të ndikonte në zvogëlimin e lëndëve.

"Gjithashtu duhet të ketë numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve, monitorim adekuat të punës së tyre si dhe mekanizma të tjerë adekuatë të cilët do të ngrenë përgjegjshmërinë e gjyqtarëve për të qenë efikas në punën e tyre. E të gjitha këto fatkeqësisht ende nuk janë funksionale sa duhet”, ka deklaruar Mustafa.

Ndërsa sa i përket paralajmërimit tjetër për krijimin e një departamenti për krim të organizuar dhe korrupsion në kuadër të degës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mustafa ka bërë me dije se një propozim të tillë edhe KDI-ja e kishte dhënë në prill të këtij viti. Sipas Mustafës, gjykata të tilla ekzistojnë në disa vende të rajonit, ku disa prej tyre janë treguar edhe si shumë të suksesshme. Aktualisht Kosova ka Task Forcën Kundër Korrupsionit të cilën e pati krijuar Qeveria e Kosovës, shefi i së cilës tashmë gjendet në burg për shkak të keqpërdorimit të postit të tij zyrtar. E kjo Task-Forcë, sipas Mustafës, nuk ka shënuar ndonjë sukses.

"Në bazë të informatave tona del se kjo e fundit nuk ka shënuar ndonjë sukses, dhe ç’është më e keqja, nuk mund të gjendet as ndonjë raport për të monitoruar më mirë punën e saj. E sa i rëndësishëm është ky mekanizëm, më së miri e vërteton qasja joserioze dhe mosgatishmëria e institucioneve përgjegjëse për të zgjedhur shefin e saj të ri”, ka deklaruar Mustafa.

Përveç Task Forcës, ekziston edhe Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, të cilin e udhëheq presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Në takimin e fundit të këtij Këshilli të mbajtur në fillim të muajit të kaluar, Jahjaga ishte ankuar se po kërkohet shumë nga këshilli të cilin e drejton ajo.

"Nganjëherë nga ne pa të drejtë po kërkohen rezultate të prekshme e statistikore, mirëpo qëllimi ynë është që të ofrojmë zgjidhje sistemore, të krijojmë klimën e mirëbesimit dhe të ndihmës së ndërsjellë, të shohim konkretisht pengesat dhe t’i zgjidhim ato, duke pasur një konsensus të plotë”, pati thënë Jahjaga
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus