Kryesore » 2012»Qershor»24 » Zvicër, nga na dolën '160.000 kosovarë me shtetësi serbe'?
11:08 PM
Zvicër, nga na dolën '160.000 kosovarë me shtetësi serbe'?
Blaser: Në Zvicër jetojnë 150 mijë deri në 170 mijë persona me prejardhje kosovare. Prej tyre, me shtetësi kosovare janë 74.794 sishNë një artikull që ka qarkulluar dje në disa medie në gjuhën shqipe, mund të lexohej se në Zvicër jetojnë rreth 160 mijë shtetas kosovarë me pasaportë serbe. E pyetur se si ka mundur të nxirret kjo shifër kur dimë se numri i gjithmbarshëm i shtetasve serbë në Zvicër është rreth 100.000, Lisa Blaser nga Zyra Federale për Migracion (BFM), e cituar në këtë artikull mohon një gjë të tillë.„Një deklarim i tillë nuk është korrekt. Deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Zvicra, në fillim të vitit 2008, kosovarët (me termin "kosovarët” përfshihen këtu të gjithë njerëzit që kanë migruar këtu nga territori i Kosovës, pavarësisht nga ajo se cilën gjuhë e flasin ose cilit religjion u takojnë), në statistikat zyrtare të Zvicrës nuk janë përfshirë si një tërësi e veçantë, por në varësi nga shteti të cilit Kosova i takonte: deri në vitin 1998 si shtetas të "Jugosllavisë”, pastaj nga viti 2005, të "Serbisë dhe Malit të Zi dhe së fundi si shtetas të "Serbisë”, thotë Blaser.
Më tutje ajo nënvizon se "njerëzit me prejardhje kosovare por me shtetësi të Zvicrës, në statistika, sipas rregullit prezantohen si shtetas zviceranë dhe jo si kosovarë. Nisur nga këto që u thanë, një përkufizim kuantitativ dhe kualitativ i popullatës kosovare në Zvicër mund të bëhet vetëm në masë të përafërt”.
Më tutje, punonjësja e BFM, sqaron se "numri i përgjithshëm i shtetasve nga Kosova, Serbia dhe Mali i Zi me qëndrim në Zvicër, në vitin 2007 ka qenë 195. 376. Analizat e të dhënave nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2000 bëjnë të ditur se brenda kësaj kategorie, migrantët shqipfolës nga Kosova janë në numër më të madh se ata nga Serbia dhe Mali i Zi. Prandaj, një vlerësim i kujdesshëm do të na e jepte sot një numër prej 150 mijë deri në 170 mijë personash me prejardhje kosovare në Zvicër. Por shumë prej tyre ndërkohë janë natyralizuar (kanë marrë shtetësinë zvicerane). Për këtë arsye BFM, në statistikën e të huajve, të bërë në fund të prillit 2012 ka publikuar numrin prej 74794 vetave në Zvicër që kanë shtetësinë kosovare”, shprehet Blaser.
Ajo e hedh poshtë edhe një vlerësim që, në shkrimin e përmendur prezantohet si citim i zonjës Blaser. Konstatimi thotë: "sikur kosovarët në Zvicër t’i kishin pasaportat e Kosovës, Berna do t’i radhiste ata në rangun e parë dhe jo në të tretin, pas portugezëve dhe gjermanëve”. Bashkëbiseduesja jonë e sqaron përse nuk qëndron një vlerësim i tillë: "Komuniteti italian, me 291.017 pjesëtarë, vazhdon të përbëjë grupin më të madh të njerëzve me shtetësi të huaj në Zvicër. Pason komuniteti gjerman me 279.672 pjesëtarë dhe ai portugez me 229.146 pjesëtarë (këto shifra do të ishin diçka më të larta nëse do t`i numronim edhe italianët, gjermanët dhe portugezët tashmë të natyralizuar).
Kështu, edhe me numrin e supozuar prej 150.000 deri 170.000 vetave me prejardhje kosovare në Zvicër - një pjesë e të cilëve janë të natyralizuar - Kosova në statistikat e përmendura nuk do të figuronte më lartë se Italia, Gjermania dhe Portugalia”, përfundon Lisa Blaser, zyrtare për informim në Zyrën Federale për Migracion, në Bernë.
Po ashtu se nuk qëndron konstatimi i artikullit në fjalë sipas të cilit: "Deri tash, nga 18 shkurti i vitit 2008 numri i qytetarëve me pasaporta serbe është reduktuar për rreth 9 mijë sish. Por, nëse kemi parasysh, se për pesë vite institucionet e juaja kanë arritur të furnizojnë vetëm shtatë mijë pasaporta…”. Se këto shifra janë nxjerrë nga konteksti dhe janë interpretuar krejtësisht gabimisht mund të kuptohet fare lehtë po të lexohen shënimet statistikore të publikuara dje në të gjitha mediet zvicerane. Aty shihet fare qartë se zvogëlimi për 9126 i numrit të shtetasve serbë në Zvicër ka ndodhur brenda një viti (nga 2011 deri në vitin 2012). Po kështu brenda një viti ka shënuar rritje prej 7796, numri i personave me shtetësi kosovare. Kjo rritje është bërë në radhë të parë në saje të shtimit të numrit kosovarëve që kanë marrë pasaporta kosovare, pra, gjithnjë brenda një viti.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus