Kryesore » 2012»Dhjetor»13 » Zharku nuk paraqitet në gjykatë, familja s’e di ku është
7:12 PM
Zharku nuk paraqitet në gjykatë, familja s’e di ku është
Xhabir Zharku nuk është paraqitur, as të enjten, që të shkojë në burg. Gjykata e priti deri në orën 16. Kryetari i Gjykatës Komunale në Kaçanik, Ramadan Gudaçi, thotë se tani do të ndërmarrë "masa të tjera ligjore”, por nuk dëshiron të japë detaje. Familjarët thanë se Zharku ka dalë nga shtëpia në mëngjes. "Telefon nuk ka, por e di se është në Kosovë”, tha i biri i tij, Mërgimi.Ora 16 e ditës së enjte, kur gjykata përfundon orarin zyrtar, shënoi momentin e fundit kur Xhabir Zharku duhej të paraqitej në Gjykatën Komunale në Kaçanik, për të shkuar në burg në kohëzgjatje prej tre vjetësh.Në orën 16 e 03 minuta, "Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar kryetarin e kësaj gjykate, Ramadan Gudaçin i cili tha se sapo kishte dalë nga zyra për të shkuar në shtëpi.
"Unë qëndrova në zyrë deri në orën 16. Deri më tash as nuk është paraqitur, as vetë e as nuk ka dorëzuar ankesë”, tha Gudaçi.
Ish-kryetari i Kaçanikut duhej të paraqitej për të shkuar në vuajtje të dënimit, sipas ftesës së dërguar në shtëpi nga shërbimi i gjykatës.
"Nuk ka ardhur sipas ftesës së dorëzuar nga gjykata, në të cilën i kërkohet të paraqitet menjëherë. Nuk kam asnjë informacion tjetër”, tha Gudaçi.
Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe Kodi i Procedurës Penale parasheh që në rast se i dënuari nuk i përgjigjet ftesës së gjykatës, masa ligjore është lëshimi i urdhrit për policinë, e cila duhet ta bëjë ekzekutimin e dënimit.
Por, Gudaçi nuk dëshiron të japë detaje se çka do të ndërmarrë. "Do të flasë pas veprimeve ligjore”, tha Gudaçi.
"Nesër (e premte) shohim”, shtoi ai.
Ndërkohë, "Gazeta Jeta në Kosovë” ka kontaktuar sërish me Mërgimin, djalin e madh të Xhabir Zharkut. Ai tha se babai i tij ka qenë të mërkurën në mbrëmje në shtëpi, kurse të enjten ka dalë herët nga shtëpia.
"Unë e kam lënduar pak këmbën dhe jam shtrirë. Babai ka dalë e nuk e di ku është”, tha Mërgim Zharku. "Telefon nuk ka, por e di se është në Kosovë”.
Nga shërbimi i gjykatës, ish kryetarit të Kaçanikut ftesa që të paraqitet menjëherë për të shkuar në vuajtje të dënimit, i është dorëzuar të mërkurën Mërgimit, djalit të madh të tij, meqë vetë Xhabir Zharku nuk ishte në shtëpi.
Shërbimi i gjykatës kishte shkuar edhe të martën t’ia dorëzojë atë ftesë, por as atë ditë, Zharku nuk ndodhej në shtëpi.
Xhabir Zharku, nga viti 2007 deri në maj 2012 e ka qeverisur Komunën e Kaçanikut. Ai është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe 1 500 euro gjobë për posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.
Zharku, së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006 deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.
Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme delesh, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus